Pas një deklarate të përbashkët nga të gjitha tetë vendet e prekura nga tarifat e Donald Trump-it, ka ardhur edhe një reagim nga Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen.
“Mbretëria e Danimarkës po merr mbështetje të madhe,” tha ajo, duke përshkruar se ka qenë në “dialog intensiv” me aleatët, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Francën dhe Gjermaninë.
“Jam e kënaqur me mesazhet e qëndrueshme nga pjesa tjetër e kontinentit: Evropa nuk do të shantazhohet,” shprehet ajo. “Njëkohësisht, tani është edhe më e qartë se ky është një problem që shtrihet përtej kufijve tanë.”
Duke sjellë ndërmend se Groenlanda është një territor vetëqeverisës nën kontrollin e Danimarkës dhe Frederiksen thekson: “Ne duam të bashkëpunojmë, dhe nuk jemi ne ata që kërkojmë konflikt.”

“Nuk mund të shesësh një popullsi”
Ndërkohë, gjatë një interviste për BBC-në, zëvendëskryetari i Parlamentit danez, Lars-Christian Brask, tha se vendi i tij po “mashtrohet nga një mik” në lidhje me kërcënimet e Trump-it për tarifa mbi Groenlandën.
Danimarka është një nga tetë vendet që Trump ka kërcënuar me tarifa “derisa të arrihet një marrëveshje për blerjen e plotë dhe tërësore të Groenlandës”.
I pyetur në BBC The World This Weekend nëse Danimarka do të konsideronte ndonjëherë shitjen e Groenlandës tek SHBA-të, Brask u përgjigj: “Nuk mund të shesësh një popullsi, kjo është skllavëri moderne.”
Ai kujtoi se Danimarka ka mbështetur SHBA-të me trupa në operacionet ushtarake në Afganistan dhe Irak, dhe e përshkroi kërcënimin e Trump-it si një “hakmarrje personale”.
“Kjo do të minojë marrëdhëniet edhe në të ardhmen,” shtoi ai. “A mund t’i besosh dikujt që sillet në atë mënyrë ndaj një aleati?”
Një zyrtar danez theksoi se ministri i jashtëm i vendit, Lars Løkke Rasmussen, është bashkuar me rrjetin social të Trump, Truth Social, “për të komunikuar drejtpërdrejt me amerikanët”.
Llogaria e Rasmussen, e hapur tre ditë më parë, ka pak më shumë se 100 ndjekës deri tani dhe ka ripostuar deklaratën e tij të “habisë” për tarifat e shpallura nga Trump.












Botërori 2026 
