Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Kryeredaktori i “Zërit të Popullit” ka artikuluar një sërë akuzash të rënda për drejtues kryesor të Partisë Socialiste, në një intervistë për Gazetën Shqiptare. Gjithnjë në funksion të tezës së tij për ndryshime në kryesinë e partisë, drejtuesi i “Zërit të Popullit” ka atakuar disa emra që sipas tij nuk e meritojnë të bëjnë pjese në kupolën rozë.

Ai ka akuzuar Luan Ramën, se gjatë kohës që ishte ministër i rendit, ka kriminalizuar policinë e shtetit. Ka vënë në dyshim pasurinë e krijuar nga ministri Spartak Poçi dhe i ka cilësuar si të paaftë Arta Daden, Maqo Lakrori, Bardhyl Agasin dhe Elmaz Sherifin. Madje kryeredaktori i “Zërit të Popullit” pohon, se disa prej këtyre drejtuesve janë deputetë me vota të dyshimta, pasi në zonat e tyre nuk kanë fituar. Asnjë prej emrave të lartpërmendur nuk ka reaguar pas këtyre akuzave dhe nuk dihet se cili do të jetë qëndrimi i tyre në forumet e PS.

Kryeredaktori i “Zërit të Popullit”, nismat e të cilit në mos janë iniciuar nga vetë kryetari i partisë Fatos Nano, nuk kanë hasur në kundërshtimin e tij. Ka qenë objekt diskutimi dhe në mbledhjen e kryesisë të premten e kaluar. Nuk dihet nëse një debat i tillë do t’u shërbejë socialistëve për të shtrënguar radhët, apo do ta thellojë më tej krizën nga e cila lidershipi socialist e ka gati të pamundur që të dalë./tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj