Java e fundit e Gushtit vijon të shënojë fluks të lartë daljesh në pikat tona doganore për arsye se tashmë shumë prej pushuesve dhe emigrantëve kthehen në vendet ku jetojnë. Megjithatë fluks ka patur edhe në hyrje për në vendin tonë, pasi janë të shumtë vizitorët që kanë zgjedhur fundin e Gushtit dhe fillimin e Shtatorit për të vizituar vendet turistike të Shqipërisë, por edhe për të pushuar duke u favorizuar nga temperaturat e larta.
Dogana e Morinit vazhdon të shënojë numrin më të madh të kalimit të pushuesve nga Kosova në Shqipëri dhe anasjelltas. Kështu në 24 orët e fundit në Shqipëri kanë hyrë nga kjo pikë kufitare 27 413 persona ose rreth 2 mijë më shumë se një javë më parë.Ndërkohë nga Morini kanë dalë 20 270 persona nga 19 680 që dolën të shtunën e kaluar.
Vetëm mbrëmjen e së shtunës nga porti i Durrësit janë nisur 11 tragete me 11 700 pasagjerë. Policia kufitare si dhe dogana e Durrësit kanë punuar me kapacitete të plota për 42 sportelet për të përballuar fluksin shumë të lartë të udhëtarëve.
Edhe në portin e Vlorës fluksi më i lartë është shënuar në dalje. Në 24 orët e fundit përmes këtij porti janë nisur në drejtim të Brindizit me 3 tragete 2 635, ndërsa kanë hyrë në portin e Vlorës vetëm 193 udhëtarë.
Fluks daljesh ka pasur edhe në pikat doganore me Greqinë. Në Kapshticë megjithatë nuk ka pasur radhë të gjata, pasi pala shqiptare punon me 8 sportele, ndërsa ajo greke me 3. Në 24 orët e fundit kanë dalë nga kjo doganë 5200 persona dhe kanë hyrë 300 persona.
Kurse nëpërmjet Kakavijës kanë dalë 7200 shtetas dhe kanë hyrë 3100 shtetas të tjerë. Pala shqiptare në këtë pikë kufitare punon me 6 sportele në hyrje dhe 6 në dalje. Kurse pala greke operon me 4 sportele në dalje dhe 3 në hyrje./tvklan.al












Botërori 2026 