Paris Jackson ka kundërshtuar mënyrën se si po administrohet pasuria e babait të saj, Michael Jackson, duke ngritur dyshime për shpenzime të pajustifikuara dhe mungesë transparence në menaxhimin e miliona dollarëve.

Vajza e mbretit të pop-it i është drejtuar gjykatës, duke kërkuar që të mos miratohet raporti i fundit financiar i administratorëve të pasurisë dhe të paraqitet një dokumentacion i ri, më i plotë dhe i detajuar.

Sipas dokumenteve të siguruara nga TMZ, avokatët e saj kanë vënë në pikëpyetje shpenzimet për avionët privatë, tarifat ligjore dhe pagesat për shërbimet e marrëdhënieve me publikun. Mes tyre përmendet edhe një shumë prej 604.850 dollarësh për pagesa të papërcaktuara me karta krediti dhe zyra avokatie.

Paris kundërshton gjithashtu 9,4 milionë dollarët e paguar si shpërblime për administratorët John Branca dhe John McClain, si dhe më shumë se 3,8 milionë dollarë për shërbime ligjore. Një tjetër pikë që ajo kërkon të sqarohet është arsyeja përse mbi 440 milionë dollarë janë mbajtur në llogari bankare me interesa të ulëta, në vend që të investoheshin në mënyrë më fitimprurëse.

Në kundërshtimet e saj përfshihen edhe shpenzimet për filmin biografik “Michael”. Paris pretendon se John Branca, producent ekzekutiv i filmit, ka shpenzuar miliona dollarë për xhirime të përsëritura, ndërsa nuk ka rikuperuar kostot përkatëse.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e pasurisë së këngëtarit i kanë hedhur poshtë akuzat, duke mbrojtur punën e administratorëve dhe rezultatet financiare të arritura.

“Edhe një herë, ekipi ligjor i zonjës Jackson përsërit të njëjtat pretendime të pabazuara dhe refuzon të pranojë strukturën unike të pasurisë, e cila funksionon si një aktivitet dinamik biznesi, me shpenzimet e zakonshme dhe kostot operacionale”, deklaroi një përfaqësues për TMZ.

Ai theksoi se kur Michael Jackson ndërroi jetë, pasuria e tij kishte 500 milionë dollarë borxhe, ndërsa administratorët arritën ta kthenin në një biznes që ka gjeneruar 3 miliardë dollarë të ardhura.

“Ekzekutuesit e testamentit morën përsipër një pasuri me 500 milionë dollarë borxhe në momentin kur Michael ndërroi jetë dhe e shndërruan atë në pasurinë më të suksesshme në histori, duke gjeneruar 3 miliardë dollarë të ardhura dhe duke realizuar filmin biografik më të suksesshëm të të gjitha kohërave, me fitime që tejkalojnë një miliard dollarë në mbarë botën”, u shpreh përfaqësuesi.

Paris Jackson kërkon që gjykata të detyrojë administratorët të paraqesin një raport të ri financiar, me shpjegime të hollësishme për shpenzimet dhe të ardhurat. Seanca gjyqësore për shqyrtimin e çështjes është caktuar për 7 dhjetor.

/tvklan.al