Një grup hakerash të huaj prej disa kohësh kanë nisur sulme në profile të ndryshme të qytetarëve shqiptarë në rrjetin social Facebook. Disa prej këtyre rasteve janë zbuluar nga Sektori për Hetimin e Krimit Kibernetik pranë Policisë së Tiranës, pas denoncimeve të ardhura nga qytetarë të ndryshëm.
Hakerat e huaj u dërgojnë mesazhe përdoruesve të Facebook në numrat e telefonit në Whats’App duke i kërkuar që të klikojnë në disa linqe të dyshimta. Kjo bëhet me qëllim që të vidhen adresa në Facebook që janë të lidhura me kartën e bankës për të bërë sponsorizime të bizneseve të tyre.
Pasi ata arrijnë të marrin të dhënat e profilit, më pas futen në llogarinë bankare duke transferuar shuma parash. Hakerat zgjedhin kryesisht individë dhe biznese. Nuk dihen se nga cili vend janë, por numri që përdorin rezulton të jetë me prefiks nga Vietnami.
Lidhur me këtë skemë policia bën thirrje qytetarëve që nëse dyshojnë se mund të jenë prekur nga dërgimi i këtyre mesazheve, të paraqiten pranë zyrave të tyre. Këshillohet që të mos kryhet asnjë veprim kundrejt këtyre mesazheve, të cilat mund të vijnë nga numra kryesisht të huaj.
Krahas kësaj policia ka edhe një tjetër paralajmërim për përdorimin e aplikacionit “PLINKO”, për të cilin reklamohet në rrjetet sociale se mund të fitohen para. Për ta bërë të besueshme këtë përdoren videot e njerëzve të famshëm që luajnë këtë lojë por që sipas policisë së shtetit është mashtrim.
Ofruesit e lojërave kërkojnë numrat e llogarive bankare me qëllim marrjen e shumave monetare. Policia apelon prindërit që të mos i lejojnë fëmijët të përdorin këtë aplikacion, pasi mund t’iu tërhiqen para nga llogaria.
Klan News