Kombëtarja shqiptare u stërvit në Londër pas ndeshjes me Anglinë, të luajtur në mbrëmjen e 21 Marsit në stadiumin Wembley. Kuqezinjtë punuan për më shumë se 60 minuta në stadiumin “The Hive” të Londrës.
Lojtarët të cilët nuk u aktivizuan dhe ata që luajtën si zëvendësues zhvilluan stërvitje me ngarkesë të plotë, ndërsa titullarët punuan vetëm në palestër.
Portieri Thomas Strakosha, i cili u zëvendësua gjatë ndeshjes me Anglinë për shkak të një goditjeje që mori gjatë lojës, është duke u mbajtur nën monitorimin e vazhdueshëm nga stafi mjekësor kuqezi. Nga stafi mjekësor ka optimizëm që ai mund të rikuperohet për ndeshjen e të hënës ndaj Andorrës.
Pjesa tjetër e lojtarëve nuk kanë shfaqur probleme fizike dhe janë të gjithë të gatshëm për sfidën e dytë të kualifikueseve. Sfida ndaj Andorrës do të arbitrohet nga austriaku Sebastian Gishamer, 36-vjeçar, i cili mban stemën e FIFA-s prej 2019. Në të kaluarën, ai ka gjykuar Andorrën në një ndeshje ndaj Kosovës në 2023 në Prishtinë.
Klan News