Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar seancën e fundit zyrtare përpara ndeshjes kundër Bjellorusisë këtu në kryeqytet. Në dispozicion të trajnerit Maran ishin rikthyer të gjithë lojtarët, të cilët një ditë më parë nuk morën ngarkesë të plotë.

Italiani ka monitoruar nga afër gjendjen e tyre fizike për të vendosur formacionin titullar me të cilin do të zbresë në fushën e lojës për duelin e fundit të Ligës së Kombeve. Pjesa më e madhe e futbollistëve pritet të konfirmohen dhe dilemat e vetme janë në repartin e avancuar. Ylber Ramadani, i skualifikuar për shkak të kartonëve, do të udhëtojë me ekipin, por në fushë do të zbresë Juljan Shehu.

Shqipërisë i mjafton vetëm 1 pikë për të zyrtarizuar pozicionin e saj në vendin e parë të grupit C1, çka do ta rikthente në Ligën B, do të siguronte Play-off-in e Europianit dhe do të ngjiste një vazo në shortin e eliminatoreve të këtij kompeticioni.

Kuqezinjtë do të nisen drejt Budapestit këtë pasdite. Trajneri Ronaldo Maran do të zhvillojë konferencën për shtyp në orën 18:30 në stadiumin Ilovzki Rudolf, ku do të luhet ndeshja e së dielës. Ajo do të nisë në orën 18:00 dhe do të transmetohet në TV Klan.

Tv Klan

/tvklan.al