Nyrishmi: Gati për më 3 Qershor

Kategoria Superiore është e vendosur që të rinisë më 3 Qershor. Të paktën kjo është dëshira e FSHF-së dhe e klubeve, që po vijojnë intensivisht edhe me stërvitjet në grupe, madje i gjithë ekipi.

Ende pa një vendim përfundimtar të Qeverisë për datën e rifillimit të kampionatit dhe duke u nisur nga deklarata e zv/trajnerit të Vllaznisë, Safet Osja, që pohonte se Superliga mund të shtyhej më 10 Qershor.

Klan Plus kontaktoi me shefin e garave në FSHF, Lusien Nyrishmi, i cili u përgjigj shkurt: “Federata dhe klubet janë gati për më 3 Qershor, nuk kemi asnjë informacion nga Ministria e Shëndetësisë”.

E thënë qartë, futbolli shqiptar pret dritën jeshile për aktivitetet zyrtare nga qeveria, ashtu siç u dha për stërvitjet. Klan Plus kontaktoi disa trajnerë, duke i pyetur se si ndikon kjo situatë tek ekipet e tyre.

Të gjithë ishin të mendimit që duhej të fiksohej sa më parë data e saktë e rinisjes, pasi në ditët e fundit skuadrat përgatiten specifikisht për ndeshjen e parë edhe në varësi të kundërshtarit, shto këtu edhe masat shtesë që duhen ndërmarrin klubet për skuadrat që do të udhëtojnë nga një qytet në tjetrin, teksa u duhet të prenotojnë edhe hotelin me një protokoll krejt tjetër tashmë.

Na ndajnë edhe 8 ditë nga 3 Qershori dhe ende ristarti i garave nuk ka një “vulë” nga qeveria shqiptare.

Klan Plus