Në kohën kur kompani të ndryshme si dhe universitete ndërkombëtare janë duke bërë përparime për të krijuar vaksinën anti-Covid , OBSH ka deklaruar se ajo nuk do të jetë gati para 2021.

Mike Ryan drejtor i Emergjencave pranë OBSH  në një koherencë për shtyp ka deklaruar se do të duhet kohë që vaksina të shpërndahet dhe të jetë e sigurtë dhe efektive, përpara se t’i jepet popullsisë.

Në fillim të kësaj jave në Universitetin e Oksfordit vaksina kundër koronavirusit rezultoi e sigurt. Rreth 1 mijë vullnetarë iu nënshtruan testimit të saj dhe në përfundim u arrit se ajo çon në krijimin e antitrupave që mund të luftojnë koronavirusin.

Rezultatet janë jashtëzakonisht premtuese, por është ende shumë shpejt të dihet nëse kjo është e mjaftueshme për të ofruar mbrojtje. Mbretëria e Bashkuar  ka porositur 100 milion doza të vaksinës. 

Po ashtu edhe vaksina eksperimentale anti-Covid-19 nga kompania Moderna në Massachusetts ka rezultuar efikase tek pacientët vullnetarë .

Rreth 4 muaj më parë më parë kjo kompani bëri të mundur testimin e 45 vullnetarëve dhe më vonë ekspertët arritën në përfundimin se kjo vaksinë nuk ka sjellë efekte anësore. Në fillim të javës tjetër kjo vaksinë do të hyjë në fazën e fundit ku do të testohen rreth 30,000 njerëz.

Moderna është kompania e pare që filloi provat për krijimin e vaksinës anti-Covid 19.  Qeveria e Shteteve të Bashkuara e ka mbështetur financiarisht me gati 500 milionë dollarë vaksinën e Moderna.

Ndërkaq situata nga koronavirusi në të gjithë botën nuk paraqitet e qëndrueshme. Covid-19 aktualisht e ka çuar numrin e të infektuarve në mbi 15 milion nga ku 630 mijë kanë humbur jetën që nga fillimi i pandemisë. Në 24 orët e fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Brazil, veç numrit të rasteve të reja, thuajse është dyfishuar numri i viktimave.

SHBA raportoi në 24 orët e fundit  1205 jetë të humbura dhe 72 mijë raste të reja me Covid, duke e çuar numrin total të të infektuarve në mbi 4 milionë. Ndërsa në Brazil u shënuan 1300 viktima dhe 65 mijë raste të reja. Peruja, ndodhet në vendin e gjashtë në grafikun e pandemisë Covid, pas SHBA-ve, Brazilit, Indisë, Rusisë dhe Afrikës së Jugut, në Afrikë, OBSH-ja ka ngritur alarmin pasi pandemia po përshpejtohet dhe vdekjet kanë tejkaluar pragun e 15 mijë.

Klan Plus