Pak orë pasi shpalli shpërndarjen e Kuvendit, presidentja Vjosa Osmani thirri në një takim të gjithë krerët e partive parlamentare me qëllim konsultimin për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme.

Por ftesës së saj iu përgjigjën vetëm partitë opozitare, ndërsa Vetëvendosja në qeveri refuzoi të bëhet pjesë me argumentin se shpërndarja e Kuvendit ishte e panevojshme dhe se çështja tashmë ka shkuar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.

“Jemi dëshmitarë që shpërndarja e Kuvendit paraqet një akt të paprecedent që bie ndesh me rendin kushtetues dhe ne do t’i drejtohemi gjykatës për këtë”, tha Arbërie Nagavici, kryetare e grupit të LVV.

Por nuk mbajnë të njëjtin qëndrim krerët e partive opozitare, të cilët shprehen se vendimi i Osmanit ishte kushtetues.

“Presidentja e ka marrë vendimin në përputhje me rendin kushtetues”, tha Bedri Hamza, kryetar i PDK.

“Kurdo që presidentja e vlerëson për afat të rregullt”, tha Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK.

“Ne tash jemi në autopilot, komandohemi nga afatet kushtetuese”, tha Ramush Haradinaj, kryetar i AAK.

Me ezaurimin e këtij takimi formal, pritet që Presidentja e Republikës të bëjë edhe shpalljen e datës së zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë.

Tv Klan

/tvklan.al