Të enjten pritet të kalojë për votim në seancë plenare

Me një dokument voluminoz prej 43 faqesh, Gjykata Kushtetuese ka argumentuar dritën jeshile që i dha marrëveshjes me Italinë për emigrantët. Ndryshe nga sa ka pretenduar opozita në ankimimin e saj, Kushtetuesja thotë se territori i Republikës së Shqipërisë nuk cënohet, për sa kohë nuk ndryshon kufij të saj.

Këto zona janë pjesë integrale e territorit shqiptar dhe ato do të vazhdojnë të mbeten të tilla gjatë gjithë kohëzgjatjes së përcaktuar shprehimisht të Protokollit, si dhe pas përfundimit të zbatimit të tij. Rrjedhimisht, Gjykata vlerëson se Protokolli për Migracionin nuk përcakton apo ndryshon integritetin territorial të Republikës së Shqipërisë, pasi, në thelb, ai nuk ndryshon apo cakton kufij të saj, duke ruajtur në këtë mënyrë të paprekura të gjitha elementet e territorit në aspektin fizik.”

Shteti shqiptar parashikon që të ushtrojë juridiksionin e tij në rast nevoje apo mungese plotësimi nga autoritetet italiane.

Gjykata vëren se në tekstin e Protokollit për Migracionin nuk rezulton të ketë ndonjë parashikim sipas të cilit shteti shqiptar heq dorë shprehimisht nga ushtrimi i juridiksionit mbi territorin e tij. Autoritetet shqiptare ushtrojnë juridiksionin e tyre në aspektet e shërbimeve të kujdesit shëndetësor që nuk mund të plotësohen nga autoritetet italiane, rendit dhe sigurisë së jashtme, lehtësimit të procesit të ofrimit të këshillave dhe asistencës për azilkërkuesit, si dhe shërbimeve të nevojshme për transferimin e trupave në rastet e vdekjeve.”

Faktin që kryeministri nuk është konsultuar me Presidentin e Republikës, Gjykata Kushtetuese nuk e sheh si antiligjore me argumentin se kreu i qeverisë gëzon autorizim të plotë, në bazë dhe të Traktatit të Miqësisë.

“Këshilli i Ministrave, ka prapësuar se Protokolli për Migracionin është nënshkruar në emër të tij nga Kryeministri, ligjërisht i autorizuar, dhe grupi negociator ka marrë plotfuqitë e lëshuara nga ministri për Punët e Jashtme, sipas autorizimit të Kryeministrit. Autorizimi për nënshkrimin dhe negocimin e këtij Protokolli nga Këshilli i Ministrave buron nga Traktati i Miqësisë.”

Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë edhe pretendimin e opozitës, se kjo marrëveshje cënon të drejtat e njeriut.

Në kushtet kur Protokolli për Migracionin ofron mbrojtje të përforcuar juridiksionale dhe nuk sjell kufizim të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, Gjykata çmon se, sipas arsyetimit të mësipërm, pretendimet e kërkuesit për cënimin e të drejtave dhe lirive themelore të të huajve (migrantëve), që rregullohen nga Protokolli për Migracionin, janë të pabazuara.”

Pas botimit në fletoren zyrtare, nuk ekziston asnjë pengesë për ngritjen e kartonit jeshil. Për këtë arsye marrëveshja e emigrantëve me Italinë pritet të miratohet në seancën e ditës së enjte, me votat e socialistëve.

Klan News