Kuvendi ka debatuar në lidhje me shkarkimin e deputetit Aleksandër Biberaj nga kreu i delegacionit shqiptar në Këshillin e Europës. E majta e quajti absurd këtë vendim dhe kërkoi nga kryetarja e parlamentit Topalli sqarime. Me pretendimin se janë vënë në diskutim kredencialet e delegacionit shqiptar në këtë organizëm.

Valentina Leksaj: “Ky është precedenti i parë që ndodh në këshillin e Europës, ku një delegacion futet në status tranzitor nga asambleja e përgjithshme e këshillit të Europës. Ndërkohë është vendosur që ky reporter do të vijë mënyrë urgjente në Shqipëri. Ky është një precedent jo vetëm turpërues për imazhin e vendit, por është edhe një precedent i rrezikshëm për proceset integruese. Natyrisht ju keni shkelur rregulloren. Lista e anëtarëve të delegacioneve të përhershme dhe çdo ndryshim i mëvonshëm në to i njoftohet Kuvendit në seancën plenare me të parë, dhe duhet të ishte bërë në seancën tjetër. Në rast kundërshtimesh Kuvendi vendos me votim të hapur.”

Por në kundërpërgjigje mazhoranca argumentoi se kjo është një çështje që i përket vetëm asaj.

Jozefina Topalli: “Në bazë të rregullores së Kuvendit është kryetarja e Kuvendit në konsultime me kryetaren e grupit që vendos mbi delegacionet dhe kryesitë e këtyre delegacioneve. Ju mund të flisni për traktatin e Varshavës, kurse Europa është aspiratë e forcave demokratike. Ne i kemi ratifikuar marrëveshjet, ne i kemi nënshkruar marrëveshjet.”

Astrit Patozi: “Askush prej nesh dhe aq më pak prej jush nuk mund të futet dhe të diskutojë për kompetencat e kryetarit të Kuvendit. Pra jeni duke cituar gabim rregulloren, kryetari i Kuvendit është në të drejtën e tij, në atributet e tij dhe në kompetencat e tij në këtë rast. Tani po flisni për rënien e dinjitetit të shtetit shqiptar, për rënien e dinjitetit të Shqipërisë në botë. Shqipërinë e kanë turpëruar ministra që udhëtonin me killer në makinat e tyre. Shqipërinë aspak nuk e turpëron asnjë përfaqësues i mazhorancës dhe aq më pak një përfaqësues tjetër dinjitoz, i cili do të përfaqësojë PD në Këshillin e Europës edhe këtë parlament.”

Në krye të delegacionit këshilltar në Këshillin e Europës tashmë është emëruar ish-ministri i drejtësisë Ilir Rusmali. Ndërkaq parlamenti miratoi në seancën plenare të së hënës projektligjin për azilin në Republikën e Shqipërisë.

Ndërsa debati mes mazhorancës dhe opozitës, vijoji dhe gjatë diskutimit të draftit për statusin e minatorit, i cili nuk arriti të marrë votat e mjaftueshme nga Kuvendi./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro