Lëvizja e parë e opozitës në seancën maratonë të kësaj të enjte, për të penguar miratimin e projektligjit për ndarjen e re administrativo-territoriale, ishte kërkesa për ndryshimin e rendit të ditës dhe heqjen nga votimi të nismës së socialistëve. Por socialistët, me shumicën e kartonave të kuq dhe vendosmërinë për ta miratuar reformën që e ul numrin e bashkive nga 61 në 46, e rrëzuan këtë kërkesë.
Ata shkuan edhe më tej duke i ftuar demokratët ta ringrejnë komisionin e posaçëm së bashku, tashmë për të diskutuar funksionet që do të kenë bashkitë e reja. Ndërsa nuk munguan tensionet mes palëve, të cilat shfaqeshin herë pas here në përballje me Gardën.
Demokratët kërkuan referendum për këtë ndarje të re. Qëndrimin kundër nismës e artikuluan fillimisht kur morën fjalën për procedurë dhe më pas me pyetjet drejtuar Arbian Maznikut, hartuesit socialist të ndryshimit të hartës administrativo-territoriale.
Mazniku hodhi poshtë akuzat e demokratëve se reforma po bëhej vetëm për efekte elektorale, duke theksuar se ajo bëhet për përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.
Lideri i opozitës ishte disa herë aktiv gjatë seancës maratonë dhe në replikat e ndryshme ftoi socialistët ta votojnë kundër, duke i paralajmëruar se do të përballen me një tjetër lëvizje.
Palët u përplasën edhe për dy kërkesat e opozitës për mocion me debate dhe interpelanca urgjente me kryeministrin për arrestimin e ish-shefes së Shërbimit Informativ, kërkesa që u rrëzuan të dyja.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 