Konjufca: Shpresojmë në arritjen e marrëveshjes me LDK-në

Me kërkesë të mandatarit për kryeministër, Albin Kurtit, kryesia e Kuvendit të Kosovës ka caktuar më datë 3 Shkurt seancën për votimin e kabinetit qeveritar.

Kurti ka kërkuar seancën më 3 Shkurt pa një marrëveshje paraprake me Lidhjen Demokratike të Kosovës, me të cilën synon të bashkëqeverisë, por nuk po pajtohen meqë LDK po kërkon postin e kryeparlamentarit për një vit, derisa të votohet presidenti, e më pas ky post t’i takojë sërish LVV-së.

Kryetari i Kuvendit, Konjufca, i cili u zgjodh në këtë post në seancën konstituive me votat e LDK-së, por që këto dy parti kishin shkuar në seancë pa marrëveshje, thotë se nuk është koha e dorëheqjeve.

Ai shpreson se deri të hënën do të arrijnë marrëveshjen me LDK-në. Sikurse propozimi i Kurtit për kryeparlamentar në LDK thonë t’i ketë zënë në befasi, edhe kërkesa e Kurtit për seancën për votimin e qeverisë, vendim për të cilin nuk është njoftuar LDK-ja.

Një ditë më parë, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, në një intervistë ka thënë se nëse nuk arrijnë marrëveshje për bashkëqeverisje mund t’ua japë votat LVV-së, si qeveri e pakicës, por jo pa e parë paraprakisht programin e tyre qeverisës. Ndërsa në rast të dështimit, AAK-ja është e gatshme të bisedojë për ndonjë mundësi për të nxjerrë vendin nga bllokada.

Në rast se Kurti të hënën nuk arrin t’i marrë votat e mjaftueshme për të qeverisur me vendin, atëherë në bazë të Kushtetutës janë edhe 10 ditë afat për një përpjekje të dytë për të krijuar qeverinë dhe është në diskrecion të Presidentit të caktojë mandatarin, i cili garanton se i ka 61 vota për formimin e qeverisë. Në rast të dështimit të dytë, atëherë brenda 45 ditësh vendi shkon në zgjedhje të reja. 

Tv Klan