Kriza politike, si rregull, zgjidhet në momentet e fundit, por partitë në Kosovë nuk patën vullnetin për të konstituuar Kuvendin. Pas 54 dështimesh, ku seancat u kthyen vetëm në parada deputetësh, tashmë Kuvendi është ngrirë, për shkak se në fuqi ka hyrë vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Për këtë krizë politike 5-mujore, analistët fajësojnë kreun e Lëvizjes Vetëvendosja, Albin Kurti, i cili nuk u tërhoq nga emri i Albulena Haxhiut për postin e kryeparlamentares, dhe më pas nga skenari për votimin e fshehtë të kandidaturës së saj.

“Një përfundim i turpshëm i një krize që u zvarrit me vetëdije. Barra kryesore e përgjegjësisë politike së gjithë këtij dështimi bie qartazi mbi subjektin politik që ka dalë i pari në zgjedhje dhe që kishte të drejtën për të propozuar kandidatin për kryetar Kuvendi. Tashmë jemi në një situatë të paprecedent, me një Kuvend jo funksional e jo legjitim dhe me një qeveri në detyrë, të zgjedhur nga legjislatura e parafundit, anëtarët e së cilës nuk kanë as autoritet ligjor për vendimmarrje”, thotë Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Për analistin Artan Muhaxhiri, Kosova po humb mbështetjen edhe në arenën ndërkombëtare, pasi nuk e njeh Kurtin si qeveri legjitime.

“Veçanërisht BE-ja nuk e konsideron qeverinë aktuale në detyrë si një qeveri legjitime dhe fuqiplotë, prandaj e kemi parë edhe gjatë vizitave, nuk e kanë trajtuar as Kurtin si kryeministër që ta vizitojnë në zyrën e tij. Kjo është një arsye më tepër që politikanët tanë do të duhej që të punonin më me urgjencë drejt gjetjes së zgjidhjeve”, shprehet Muhaxhiri.

Situata aktuale mbetet e paqartë, ku palët janë në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që ka pezulluar çdo lëvizje tjetër të Kuvendit deri më 8 gusht.

Tv Klan

/tvklan.al