Pas afro 14 orësh diskutimesh dhe përplasjesh mes mazhorancës dhe opozitës, Kuvendi miratoi në parim projektbuxhetin për vitin 2027, me vlerë mbi 10 miliardë euro.

Në votim, projektligji mori 80 vota pro, asnjë abstenim dhe 25 vota kundër.

Së bashku me buxhetin, mazhoranca miratoi edhe pesë projektligjet financiare që lidhen drejtpërdrejt me të, pjesë e paketës fiskale dhe strehimit social.

Bëhet fjalë për ndryshimet në ligjin për tatimin mbi të ardhurat, TVSH-në, procedurat tatimore, akcizat dhe strehimin social.

Mazhoranca e cilësoi buxhetin si historik, duke vënë theksin te rritja e investimeve publike dhe financimit për arsimin, shëndetësinë, bujqësinë dhe mbrojtjen.

Ndër masat e parashikuara janë edhe dyfishimi i bonusit mujor për pensionistët dhe ulja e TVSH-së nga 20 në 6 për qind për 54 produkte ushqimore.

Nga ana tjetër, opozita votoi kundër, duke e cilësuar projektbuxhetin kriminal dhe duke kritikuar shpërndarjen e fondeve publike dhe nivelin e mbështetjes sociale.

Deputetët opozitarë ngritën gjithashtu shqetësime për mungesën e konsultimit me biznesin, ndryshimet fiskale dhe ndikimin e tyre te turizmi dhe profesionistët e lirë.

Seanca u shoqërua me replika të forta, akuza për korrupsion dhe debate mbi menaxhimin e financave publike.

Pas miratimit në parim, projektbuxheti dhe ndryshimet ligjore do të vijojnë shqyrtimin në komisionet parlamentare, nen për nen, përpara votimit përfundimtar në Kuvend.

/tvklan.al