Pas afro 5 orësh debate, në një seancë maraton që nisi në orën 10:00 të paradites dhe u mbyll në orën 2:00 pas mesnate parlamenti  miratoi me 84 votat e nevojshme të maxhorancës ndryshimet në ligjin për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve, përkatësisht nenet ku parashikohet paga e tyre.

Pavarësisht çfarë kërkuan vetë magjistratët paga referencë për ta do të jetë ajo e presidentit të Republikës që do të llogaritet me një koificent 0.38 përqind nga 0.36 që ishte më parë ose thënë ndryshe pagat e tyre do të rriten me 5 përqind ndërkohë që do të merren dhe shtesat nga prilli i 2023.

Demokratët që në nisje të seancës kërkuan të tërhiqej dokumenti i propozuar nga socialistët pasi nuk respektonte vendimin e gjykatës kushtetuese, kërkesë që u rrezua ndërsa u parashtruan argumentat nga të dyja palët për të mbrojtur qëndrimet e tyre.

Në debate në mesnatë pasi dëgjoi të gjithë folësit e regjistruar u përfshi dhe kryeministri cili solli në nisje të fjalës së ti si argument opinion e komisionit të Venecias për rastin Xhaçka për të treguar se Gjykata Kushtetuese nuk mund t’ju diktojë qëndrimet e shprehura me votë deputetëve.

“Gjykata Kushtetuese është arbitri. Ajo nuk mund të ndalojë lojën, mund të konstatojë shkeljen, mund ta anulojë golin, por nuk mund ta marrë topin dhe të thotë topi është imi, penalltinë do ta gjuaj unë. Gjykata Kushtetuese si një pushtet tjetër i pavarur është i pavarur prej nesh këtu si pushtet ligjvënës dhe është i pavarur prej nesh si pushtet ekzekutiv për të na treguar se kur e ngremë dorën gabim, por nëse ne ngremë dorën gabim dhe Gjykata Kushtetuese na thotë me këtë ngritje dore u shkel kjo normë, prandaj kjo normë rrëzohet, Gjykata Kushtetuese nuk mund t’i thotë kurrë, në asnjë rast dhe për asnjë arsye një pushteti të pavarur si ai i Kuvendit se si duhet të ngrejë dorën. Kjo nuk ndodh. Dhe tani ngrije dorën për tekstin që ta kam shkruar unë, për formulën që kam zgjedhur unë dhe për shumën që kam vendosur unë, Gjykata Kushtetuese nuk ja thotë dot Kuvendit të Shqipërisë dhe këtu ka deputetë që kanë shumë vite në këtë Kuvend. Dhe rasti që solla e bën Venecian të na kujtojë se deputeti është i pa urdhërueshëm individualisht dhe kuvendi mund të votojë dhe duhet të votojë çështjet që ndodhen brenda kompetencës së tij”, tha Rama.

Po ashtu sipas kryeministrit Kushtetuesja nuk mund ti vendos afate pushtetit legjislativ se kur duhet ta miratojë ose jo një nismë ligjore.

Gjithësesi Rama u kujdes të sigurojë se shumica nuk e vë në diskutim respektimin e vendimet të gjykatës më të lartë në vend, asaj Kushtetuese.

Duke u ndalur tek debatet nëse duhet të rriten apo jo sa kërkohen nga shoqatat e gjyqtarëve pagat kryeministri pranon se në 2016 e deformuan me vullnet të pastër hirarkinë e pagave duke i bërë pagat e magjistratëve më të larta dhe se ajo e presidentit të Republikës por kjo sipas tij nuk duhet të merret e mirëqenë se do të vazhdojë të ndodh thotë ai sa herë që kjo kategori do ta kërkojë.

Rama ju kërkon dhe demokratëve të mendojnë jashtë kornizës partiake dhe të kuptojnë se çfarë po rrezikon të ndodh nëse lejohet që pushteti gjyqësor ti imponohet dy pushteteve të tjera përmes presionit.

“Ne kemi një problem shumë të madh, i cili nesër mund të bëhet shumë më i madh dhe këtu nuk ka absolutisht asnjë lloj sfide, asnjë lloj lufte të asnjë natyre me sistemin e drejtësisë, asnjë lloj presioni, asnjë lloj absolutisht asgjë të tillë. Se po ju kujtoj dhe diçka tjetër që nëse i shkojmë fillit të logjikës të atyre që e paraqitën këtë si një tentativë për presion, Prokuroria Speciale nuk ka kërkuar rritje pagash. As ka kërkuar rritje pagash, as ka çuar listë pagesën përveçse sipas formulës vjetër. Kështu që kjo bie si logjikë edhe sikur po e marrim për një moment të mirëqenë, që s’është. Këtu është një çështje shtet bërje europiane.  Ne kemi hyrë në një fazë të re. Ne qartësisht e kemi një pushtet të ri të pavarur në këtë qytet dhe pikërisht pse është një pushtet i ri i pavarur po shohim gjëra që janë të paimagjinueshme në një demokraci të konsoliduar me hetues që shkojnë në Ministrinë e Financave, me prokurorë që shkojnë në dyert e Thesarit, me gjykatës që kërcënojnë zyrtarët e Thesarit. Pra jemi në kushtet e një trupe e cila po shijon pavarësinë e vet. Këtë duam ne? Këtë duam? Këtë doni ju? Unë nuk besoj se këtë duam ne. Unë besoj që ne kemi përgjegjësinë që ta forcojmë këtë dinamikë të ndarjes së pushteteve, por kemi njëkohësisht përgjegjësi që të tregojmë se ku mbaron njëri dhe ku fillon tjetri pushtet. Kushtetuta nuk flet për dy autoritete dhe një pushtet të pavarur. Kushtetuta flet për tre pushtete të  pavarura. Janë reciprokisht të pavarura dhe reciprokisht të ndërthurura”, tha Rama.

Kryeministri zbulon se kanë nisur konsultimet dhe komisionin europian për hartimin e një ligji të ri për piramidën e pagave .

“Kur flas për ligjin e ri nuk flas në ajër, ne kemi filluar kontaktet me Këshillin e Europës, me atë Komisionin Europian për Efiçencën e Drejtësisë dhe unë i kam pritur të gjithë këta që i kishit ju në komisionin përkatës sepse kërkuan takim dhe ne e organizuam takimin. E organizuam takimin sipas dëshirës dhe kushteve të tyre, në kuptimin për t’ju dhënë të gjithëve mundësinë që të flasim dhe për t’ju thënë që këtu ka një problem të cilin do ta adresojmë së bashku, nuk mund të kthehet ky në një konflikt pushtetesh. Se çfarë domethënë kjo? Që nesër pastaj ne të bëjmë siç bëhej dikur në Shqipërinë demokratike që urdhëroj policia mos të ekzekutonte vendimet e prokurorëve? Ka ndodhur. Ne nuk mund të shkojmë një konflikt pushtetesh dhe ne jemi të gatshëm, jo te gatshëm, por jemi tërësisht te angazhuar që të bëjmë një ligj të ri. Ka një sërë mënyrash për ta bërë, por kjo historia që sa herë rritet një pagë në Republikë, duhet rritur një pagë atje, duhet të marri fund. Kjo është absurd dhe kjo tjetra, “respekto vendimin e Gjykatës Kushtetuese… Reforma në Drejtësi ka shumë arsye për të qenë të inkurajuar dhe për t’ju sqaruar të gjithëve nga ana ime unë dy suksese shoh në reformën drejtësi, SPAK dhe GJKKO me të gjitha problematikat, që janë dy suksese por nëse ka një faliment janë ato dy Këshilla atje dhe nëse ka një arsye për tu shqetësuar Kuvendi i Shqipërisë është pikërisht të reflektojë mbi reformën në drejtësi e jo mbi atë pjesë të reformës që është bërë lajtmotivi kryesor përditë e përditë, ‘burg, burg’, por mbi atë pjesë të reformës që është lajtmotivi i jetës së atyre dhjetëra mijëra njerëzve që janë kthyer në dosje të mbuluar me pluhur, me ata kush flet e me ata kush merret? Por nuk mund t’i zgjidhin ato punë ata që vijnë këtu si zonja Tabaku, mbajnë fjalime “protesta, protesta” dhe janë përzënë nga protesta si sëmundje ngjitëse”, tha Rama.

/tvklan.al