Kuvendi i Shqipërisë pritet të mblidhet të enjten, më 22 tetor, në orën 10:00, në një seancë plenare që zhvillohet në një klimë protestash në vend. Mbledhja e javës së kaluar nuk u zhvillua, pasi u anulua për shkak të protestave.
Sipas agjendës së përcaktuar në urdhrin e firmosur nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, deputetët do të shqyrtojnë disa çështje, mes tyre kërkesa për interpelanca me anëtarë të kabinetit qeveritar, si dhe një sërë projektligjesh e projektvendimesh.
Opozita ka kërkuar një interpelancë urgjente me ministrin e Brendshëm, Ervin Demo. Ndërkohë, deputetët Ermal Pacaj dhe Tedi Blushi kanë paraqitur kërkesa për interpelanca me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi. Blushi ka kërkuar gjithashtu që të zhvillojë një interpelancë me ministrin e Financave, Petrit Malaj.
Një tjetër pikë e rëndësishme e rendit të ditës është projektvendimi për krijimin e Komisionit të Posaçëm Parlamentar, i cili do të merret me fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale.
Gjithashtu, pritet të diskutohen nisma ligjore që përfshijnë rregullimin e shërbimeve të pagesave, masat kundër pastrimit të parave, mbrojtjen e të drejtave të autorit, si dhe përcaktimin e treguesve gjeografikë për produktet artizanale dhe industriale.












Botërori 2026 
