Kryeministri Edi Rama njoftoi më 11 shtator ndryshime në kabinetin qeveritar. Ai deklaroi se Besfort Lamallari nuk do të vijojë më detyrën si ministër i Brendshëm, ndërsa në vend të tij është emëruar Ervin Demo, i cili deri tani mbante postin e ministrit të Pushtetit Vendor.
Paralelisht me këtë lëvizje, Rama bëri të ditur edhe një ristrukturim të Ministrisë së Brendshme, duke përfshirë brenda saj Pushtetin Vendor.
Kreu i qeverisë deklaroi se Lamallari do të punojë me stafin e tij në Kryeministri.
“Do të ketë një ndryshim të rëndësishëm në qeveri. Besforti do të punojë në Kryeministri bashkë me mua dhe ekipin këtu. Ndërsa, Ervini, ministri i Pushtetit Vendor i tanishëm do të mbulojë punët e Brendshme, ku do të integrojmë dhe çështjet vendore. Faleminderit për shërbimet e deritanishme”, tha Rama.
Lamallari e falënderoi kryeministrin për besimin e dhënë. Ai tha se do të bëjë maksimumin në detyrat që do i ngarkohen.
“Shumë faleminderit kryeministër për gjithë besimin e dhënë në këto 10 vite. Ndjej që jam rritur si njeri dhe profesionalisht, për të kuptuar më mirë dhe njerëzit dhe cilat janë shqetësimet kryesore të tyre. Ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme, përpos se një privilegj i madh. Jam munduar maksimalisht që të mos ju zhgënjej. Është kënaqësi dhe nder, që të vijoj rrugëtimin e të jem në krahun tuaj për të gjitha punët e mira që e presin Shqipërinë dhe shqiptarët”, deklaroi Lamallari.
Kreu i qeverisë theksoi se Lamallari e ka kryer punën me të gjithë integritetin që e karakterizon.
Ndërsa, Ervin Demo, që pritet të jetë numri një i Ministrisë së Brendshme gjithashtu falënderoi kryeministrin për besimin. Demo nënvizoi se do të çojë përpara prioritetet e qeverisë.
“Kryeministër, faleminderit për besimin. Është përgjegjësi shumë e madhe. Jam i bindur se do të çoj përpara prioritetet e qeverisë. Kuptohet ato prioritete që ka dërguar përpara dhe Besforti, sepse ai ka bërë një punë tepër të mirë. Do vazhdoj të bashkëpunoj me Besfortin, edhe me kapacitetin e vet në Kryeministri. Do kemi në fokus besimin e qytetarëve”, u shpreh Demo.
U largua si ministër, Lamallari: Ishte më shumë se privilegj, ‘libri i jetës’ që të udhëzon në stacionin vijues
Besfort Lamallari ka reaguar, pasi nuk do të jetë më ministër i Brendshëm. Ai shprehet se ka qenë një privilegj i madh që ka drejtuar Ministrinë e Brendshme.
Lamallari shton se përvoja në MB ka qenë ‘libri i jetës’ që e udhëzon për në stacionin vijues.
“Nuk ka nder më të madh se t’i shërbesh vendit tënd, duke u përpjekur çdo ditë të japësh më të mirën tënde në përgjegjësitë që të besohen.
Drejtimi i Ministrisë së Drejtësisë dhe në veçanti i Ministrisë së Punëve të Brendshme, institucioni ku u rrita profesionalisht, politikisht dhe mbi të gjitha si njeri është më shumë se sa një privilegj. Është ‘libri i jetës’ i cili të udhëzon drejt më tej në çdo stacion vijues.
Për këtë mundësi të jashtëzakonshme, mirënjohje gjithmonë Kryeministrit Edi Rama, të cilit tashmë do të kem kënaqësinë e veçantë t’ia kthej nderin e lartë dhe besimin tek unë edhe përmes anagazhimit të ri si pjesë e ekipit të Tij.
Ka qenë një rrugëtim i paharrueshëm me ekipin më të mirë në krah dhe i bekuar nga mbështetja deri në sakrificë e familjes time
Urime dhe mbarësi kolegut Ervin Demo. Jam i bindur që do të çojë përpara me sukses prioritetet e qeverisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme”, shkruan Lamallari.
Besfort Lamallari e mori detyrën e ministrit të Brendshëm në 6 mars të këtij viti. Ai zëvendësoi Albana Koçiun në këtë post, ndërsa më herët mbante postin e ministrit të Drejtësisë.
Gjatë qëndrimit të tij në krye të Ministrisë së Brendshme, u mbajtën dhe protestat qytetare kundër qeverisë.
Ishte Lamallari, që shpalli non grata Igballe Berishën, si të dyshuar si të lidhur me regjimin në Iran. Ndërsa më vonë shpalli non grata edhe dy shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, që i konsideronte si elementë të rrezikshëm për sigurinë e vendit.












Botërori 2026 