Shqipëria po kthehet në kryefjalën e turizmit europian, dhe këtë herë është prestigjiozja franceze “Le Routard” që i dedikon një ftesë të hapur botës për të zbuluar sekretet e vendit tonë. Media e njohur franceze e përshkruan Shqipërinë si një destinacion magjepsës që kombinon në mënyrë perfekte natyrën, pasurinë e lashtë kulturore dhe, mbi të gjitha, mikpritjen e ngrohtë shqiptare.
Mes maleve të egra, fshatrave me trashëgimi të pasur kulturore, plazheve me ujëra të kristalta dhe tryezave plot shije tradicionale, Shqipëria po shndërrohet me shpejtësi në një nga destinacionet më tërheqëse dhe intriguese të Europës. Kështu shkruan artikulli i botuar në median e njohur franceze “Le Guide du Routard”.
Sipas saj, vendi ynë, ende i paprekur nga turizmi masiv, ofron një mozaik të jashtëzakonshëm peizazhesh, kulturash dhe traditash. Të gjitha këto prezantohen në mënyrë të detajuar në edicionin e ri të këtij udhërrëfyesi prestigjioz francez, i cili përmes itinerareve të sugjeruara dhe këshillave praktike, synon t’u ofrojë turistëve të huaj një përvojë sa më autentike dhe pranë realitetit lokal.
Nga Tirana dinamike e deri në skajet më jugore, udhërrëfyesi përshkruan një Shqipëri ku historia dhe moderniteti bashkëjetojnë natyrshëm. Një vëmendje e veçantë në shkrim i kushtohet mikpritjes së famshme shqiptare dhe gastronomisë unike, që ndërthur me shije ndikimet mesdhetare dhe ato ballkanike.
Megjithatë, siç vëren “Le Routard”, forca më e madhe e Shqipërisë mbetet natyra e saj. Liqenet e lashta, relievi i thyer malor dhe një bregdet prej më shumë se 400 kilometrash krijojnë një panoramë mbresëlënëse që fton çdo vizitor të ngadalësojë ritmin, të vëzhgojë dhe të shijojë një mjedis magjik, ende të ruajtur mirë nga dora e kohës.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 