Në mes të letrave të rëndësishme drejtuar investitorëve nga figurat më të mëdha të financës botërore, si Warren Buffett dhe Jamie Dimon, spikat edhe ajo e Larry Fink, kreu i kompanisë BlackRock.

Letra e publikuar këtë javë shihet si një mesazh i fortë për të nxitur investimet në tregjet financiare, në një kohë kur kompania menaxhon rreth 14 trilionë dollarë asete dhe po vazhdon të rrisë ndikimin e saj global. Vetëm në vitin 2025, BlackRock ka tërhequr rreth 700 miliardë dollarë kapital të ri, një shifër që e vendos ndër vitet më të suksesshme në historinë e saj.

Fink argumenton se investimi afatgjatë në tregje ka sjellë kthime të larta historikisht, duke theksuar se një dollar i investuar në indeksin S&P 500 është shumëfishuar gjatë dy dekadave të fundit. Ai nënvizon gjithashtu se mungesa e pjesëmarrjes në treg në ditët më të mira të tij ul ndjeshëm fitimet afatgjata.

Në letrën e tij, Fink u bën thirrje investitorëve të mos tërhiqen nga tregjet në periudha pasigurie globale, përfshirë luftërat dhe tensionet gjeopolitike, duke theksuar se investimi i qëndrueshëm krijon një “rreth virtuoz” për ekonominë, ku kursimet financojnë kompani, infrastrukturë dhe vende pune.

“Por me kalimin e kohës, të qëndrosh i investuar ka pasur shumë më tepër rëndësi sesa të gjesh momentin e saktë për të hyrë në treg”, thekson në letrën e tij Larry Fink.

Ai shton se zhvillimi ekonomik i një vendi dhe investimet personale janë të lidhura ngushtë, duke krijuar përfitime reciproke si për qytetarët ashtu edhe për shtetin. Sipas tij, gjithnjë e më shumë vende po synojnë vetë-mjaftueshmëri ekonomike, duke rritur nevojën për kapital privat në financimin e projekteve madhore.

“Kur njerëzit investojnë kursimet e tyre, për dekada, jo për ditë, tregjet e kapitalit e vënë atë para në punë, duke financuar kompani, infrastrukturë dhe vende pune”, shton ai.

Letra thekson gjithashtu rolin në rritje të tregjeve të kapitalit në financimin e projekteve globale, përfshirë zhvillimin e infrastrukturës së inteligjencës artificiale dhe qendrat e të dhënave, ku BlackRock ka hyrë në partneritete të mëdha me kompani si Microsoft dhe Nvidia.

Fink ngre gjithashtu shqetësimin për pabarazitë ekonomike, duke argumentuar se shumë familje nuk kanë akses në tregjet financiare dhe se pasuria shpesh është e përqendruar vetëm në pronën e banesës, e cila sipas tij nuk garanton gjithmonë kthime të larta afatgjata.

Në fund, ai propozon zgjerimin e mundësive për investim për qytetarët, përfshirë skema të reja kursimi dhe reforma pensionale, si një mënyrë për të lidhur më fort qytetarët me rritjen ekonomike të vendeve të tyre.

/tvklan.al