Me një ansambël ngjyrash, skenografi të veçantë dhe veshje karakteristike country, edicioni i 6-të i koncertit “Country Fest” solli gjallëri dhe emocion në sheshin e qytetit të Lezhës.

Dhjetëra fëmijë dhe të rinj të talentuar u ngjitën në skenë, duke dhuruar për rreth një orë performanca të larmishme që krijuan një atmosferë magjike për publikun e pranishëm.

Koncerti u kthye në një festë të vërtetë verore, ku muzika, vallëzimi dhe energjia e artistëve të vegjël mbushën sheshin me duartrokitje dhe entuziazëm.

Aktiviteti tërhoqi vëmendjen e shumë qytetarëve dhe pushuesve, të cilët shijuan një mbrëmje ndryshe në zemër të qytetit.

“Country Fest” synon të sjellë elementë të traditës së jetës së fshatit në mjedisin urban, duke i vendosur fëmijët në qendër të kësaj atmosfere festive dhe kreative.

Pergjegjesja e Qendrës Kulturore të Fëmijëve në Lezhë, Mimoza Xhafa, u shpreh se festivali është kthyer tashmë në një traditë të dashur për qytetin, duke u ofruar fëmijëve mundësinë të shfaqin talentin e tyre dhe njëkohësisht të promovojnë vlera kulturore e artistike.

“Country Fest” vijon të jetë një nga aktivitetet më të pëlqyera të sezonit veror në qytet, duke sjellë çdo vit më shumë pjesëmarrës dhe duke krijuar momente të veçanta argëtimi për publikun.

Klan News

/tvklan.al