Pak pas orës vendore 15:30 të së martës, mijëra shpërthime tronditën njëherësh Libanin. Ambulancat nisën të dërgojnë të plagosurit nëpër spitale, kaos në rrugët e qyteteve kryesore.

Kishte kohë që Izraeli njoftonte sulme ndaj Libanit me qëllim zmbrapsjen e grupit militante me mbështetje iraniane, Hezbollah. Askujt nuk i kishte shkuar mendja se sulmi do të ishte kibernetik me pasoja të rënda, të vrarë e të plagosur.

Nga të dhënat e deritanishme, mësohet se të paktën tetë vetë u vranë dhe 2,750 të tjerë janë plagosur, mes tyre luftëtarë të Hezbollahut, mjekë dhe ambasadori i Iranit në Bejrut, Mojtaba Amani. Vdekjet e plagosjet erdhën nga shpërthimi i menjëhershëm i një pajisjeje komunikuese i njohur si “pager” ose “beeper”. Bilancin e viktimave e konfirmuan burimet e sigurisë dhe ministri libanez i Shëndetësisë Firass Abiad.

Ministri i Informacionit i Libanit Ziad Makary tha se qeveria dënon shpërthimet dhe i konsideron ato “agresion izraelit”. Hezbollahu gjithashtu fajësoi Izraelin për shpërthimet dhe tha se do të merrte “dënimin të drejtë”.

“Rreth orës 15:30 të pasdites, në spitale vërshuan shumë të plagosur. Ata janë lënduar kryesisht pas shpërthimit të mjeteve të komunikimit, të pager-ave, që mbanin me vete. Numri i personave që mbërritën njëherësh në urgjencë ishte shumë i madh. Është e qartë se ata ndodheshin në vende të ndryshme.”

Ministria e shëndetësisë tha se 200 prej të plagosurve janë në gjendje të rëndë për jetën. Një ekspert municioni i tha BBC-së se pajisjet ka të ngjarë të kenë qenë të mbushura deri në 20 gram me eksploziv të shkallës ushtarake. Është e paqartë për momentin nëse pajisjet janë shitur të mbushura me eksploziv apo kanë qenë të përgatitura kështu nga vetë Hezbollahu.

Ushtria izraelite nuk pranoi të komentojë në lidhje me shpërthimet. Një zyrtar i Hezbollahut, duke folur në kushte anonimiteti, tha se shpërthimi i pagerëve përbën “cenimin më të madh të sigurisë”. Hezbollah njoftoi nisjen e një hetimi të thellë. Izraeli dhe Hezbollahu i mbështetur nga Irani janë përfshirë në luftë ndërkufitare që nga shpërthimi i luftës në Gaza tetorin e kaluar.

Klan News