19 nëntor 2026- Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka prezantuar në Komisionin Parlamentar për Edukimin, Shkencën dhe Sportet projektligjin e ri “Për donacionet dhe sponsorizimet”, i cili synon të rrisë përfshirjen e sektorit privat në financimin e kulturës, artit, sportit dhe fushave të tjera me interes publik.

Gjatë prezantimit, Gonxhja theksoi se kuadri aktual ligjor, i miratuar në vitin 1994, nuk i përgjigjet më realitetit të ri ekonomik dhe zhvillimit të Shqipërisë, duke argumentuar se nevojiten mekanizma të rinj për të mobilizuar kapitalin privat.

Një nga risitë kryesore të projektligjit është lehtësia fiskale për bizneset që sponsorizojnë aktivitete në kulturë, art dhe sport.

Sipas propozimit, Gonxhja u shpreh se sponsorët do të mund të njohin si zbritje një vlerë deri në 30% të tatimit mbi fitimin të paguar në vitin paraardhës, me një kufi maksimal prej 30 milionë lekësh në vit për çdo sponsor dhe një tavan kombëtar prej 2 miliardë lekësh në vit.

Projektligji shtoi ai parashikon gjithashtu mundësinë që bizneset të mbështesin drejtpërdrejt artistët dhe sportistët shqiptarë që përfaqësojnë vendin në aktivitete ndërkombëtare.

Një tjetër ndryshim është zgjerimi i fushave që mund të përfitojnë nga donacionet dhe sponsorizimet. Përveç kulturës, artit dhe sportit, në skemë përfshihen arsimi, kërkimi shkencor, shëndetësia, mbrojtja e mjedisit, trashëgimia kulturore, ndihma humanitare dhe zhvillimi social.

Sipas ministrit, synimi është që kultura dhe sporti të mos shihen vetëm si shpenzime të buxhetit të shtetit, por si investime që gjenerojnë përfitime ekonomike, shëndetësore dhe sociale, duke ndikuar edhe në zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë lokale.

Gonxhja solli si shembuj edhe organizimin e eventeve të mëdha ndërkombëtare, si Giro d’Italia dhe koncertet në Shqipëri, të cilat kanë tërhequr vizitorë të huaj dhe kanë gjeneruar aktivitet ekonomik për sektorët e hotelerisë, gastronomisë, transportit dhe shërbimeve.

Projektligji parashikon edhe mekanizma të rinj transparence dhe kontrolli, për të garantuar përdorimin e fondeve sipas qëllimit të përcaktuar. Të gjitha donacionet dhe sponsorizimet do të kryhen përmes transfertave bankare, ndërsa do të krijohet një Regjistër Elektronik Kombëtar i Sponsorizimeve, i administruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe i integruar me platformën e-Albania.

Gjithashtu, projektligji ndalon donacionet anonime dhe vendos kufizime për subjektet që operojnë në sektorë si duhani, alkooli dhe lojërat e fatit.

Fjala e plotë e ministrit Gonxhja:

Sot paraqesim për shqyrtim projektligjin e ri “Për donacionet dhe sponsorizimet”, një nismë që vjen si përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj një realiteti të ri ekonomik, social dhe zhvillimor që po jeton Shqipëria.

Përpara se të ndalem te mekanizmat konkretë të këtij projektligji, më lejoni ta vendos këtë nismë në kontekstin e transformimit që vendi ynë ka pësuar gjatë viteve të fundit. Shqipëria nuk është më ajo e tri dekadave më parë dhe as e një dekade më parë. Vendi ynë ka shënuar një rritje të jashtëzakonshme në sektorët e turizmit, kulturës dhe sportit, duke e shndërruar këtë hapësirë në një nga motorët kryesorë të zhvillimit ekonomik.

Vetëm gjatë vitit 2025, Shqipëria mirëpriti rreth 12,5 milionë vizitorë të huaj, ose 3,8 herë (+283%) më shumë se në vitin 2013, duke gjeneruar rreth 570 miliardë lekë të ardhura të drejtpërdrejta nga turizmi. Ndërkohë, sipas vlerësimit të Këshillit Botëror të Udhëtimeve dhe Turizmit (WTTC), në bashkëpunim me Oxford Economics, kur llogaritet i gjithë efekti zinxhir në ekonomi, kontributi total i sektorit të udhëtimeve dhe turizmit arriti në 26,4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ose rreth 685 miliardë lekë, duke mbështetur rreth 274 mijë vende pune në të gjithë vendin.

Paralelisht me këtë zgjerim të turizmit, Shqipëria ka ndërtuar një ofertë gjithnjë e më të pasur dhe dinamike eventesh kulturore, artistike dhe sportive. Parashikohen mbi 3.000 evente turistike, sportive e kulturore sivjet, çka përbën një rritje prej rreth 21% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës. Këto shifra dëshmojnë qartë se Shqipëria nuk konkurron më vetëm me natyrën, bregdetin dhe trashëgiminë kulturore, por po konsolidohet si një destinacion aktiv me një kalendar të strukturuar ngjarjesh, festivalesh, koncertesh dhe garash ndërkombëtare.

Megjithatë, ky hov zhvillimi dhe kjo rritje e kërkesës kërkojnë instrumente moderne financimi. Kuadri ligjor aktual, ligji nr. 7892 i vitit 1994, i përket një realiteti krejt të ndryshëm. Për vite me radhë, një kufi modest i lehtësimit fiskal prej vetëm 5% të tatimit mbi fitimin e ka mbajtur të fjetur potencialin e kapitalit privat, duke i lënë kulturën, artin dhe sportin në një varësi pothuajse të plotë nga buxheti i shtetit. Kur mbështetja mbetet thjesht një gjest sporadik bamirësie, ne humbasim mundësinë për të mobilizuar burime të mëdha private në shërbim të interesit publik.

Prandaj, me këtë projektligj ne bëjmë një kapërcim konceptual: kalojmë nga modeli i bamirësisë së izoluar, drejt një partneriteti strategjik ndërmjet shtetit, biznesit dhe shoqërisë, ku krijohet vlerë e përbashkët ekonomike dhe sociale.

Më lejoni të ndalem në tre shtyllat kryesore të këtij projektligji.

Së pari, projektligji krijon një mekanizëm të ri, të fortë dhe nxitës për financimin e kulturës, artit dhe sportit.

Këta sektorë kanë nevojë për burime financimi më të diversifikuara, më të parashikueshme dhe më të qëndrueshme. Buxheti i shtetit mbetet një instrument themelor, por fondet publike dhe thirrjet vjetore nuk mund të jenë kurrë burimi i vetëm për të mbuluar të gjitha nevojat dhe ambiciet e zhvillimit.

Për ta kuptuar më qartë sa e domosdoshme është hapja e këtij tregu ndaj kapitalit privat, mjafton t’i referohemi disa treguesve konkretë:

–Në fushën e sportit, në vitin 2024 financimi total në Shqipëri ishte rreth 448 milionë lekë. Nga kjo shumë, vetëm rreth 50 milionë lekë, pra vetëm 11,2%, vinin nga sponsorizimet private. Kjo peshë e ulët e ekonomisë private në sport reflektohet drejtpërdrejt te cilësia e kampionateve dhe te kushtet e sportistëve tanë. Ndërsa paga orientuese e një futbollisti në Kategorinë Superiore lëviz rreth 100.000–120.000 lekë në muaj, në Greqinë fqinje ajo arrin rreth 35.000 euro, ndërsa në tregjet e mëdha evropiane si Bundesliga apo Premier League, ku klubet gjenerojnë miliarda euro të ardhura komerciale dhe sponsorizime, pagat mesatare shkojnë respektivisht në rreth 170.000 euro dhe 244.000 paund në muaj. Pa rritur madhësinë e ekonomisë private të sportit, ne nuk mund të presim paga më të larta, akademi më të forta apo konkurrencë të denjë në arenën evropiane.

–Në fushën e kulturës, rritja e numrit të aktiviteteve, shfaqjeve, premierave dhe festivaleve në të gjithë territorin ka sjellë nevoja të reja financiare për artistët, produksionet dhe logjistikën. Megjithëse buxheti i Shqipërisë për artin, kulturën dhe trashëgiminë në vitin 2026 parashikohet rreth 4,8 miliardë lekë, niveli i financimit për banor mbetet rreth 2.030 lekë. Ky tregues është dukshëm më i ulët se në vendet e tjera evropiane, si Polonia me 28,3 euro për banor, Franca me 51,6 euro, Italia me 52,6 euro, Greqia me 62,8 euro apo Sllovenia me 127,6 euro për banor. Ndërkohë, Strategjia Kombëtare e Kulturës 2026–2030, e miratuar në korrik të këtij viti, përcakton një objektiv ambicioz: rritjen e kontributit të kulturës në ekonomi nga rreth 0,4% e PBB-së në nivelin 1–1,25% të PBB-së, sipas standardeve të Bashkimit Evropian. Ky objektiv nuk mund të arrihet vetëm me buxhetin e shtetit; ai kërkon mobilizim masiv të kapitalit privat.

–Pikërisht për të kapërcyer këtë hendek, projektligji parashikon një mekanizëm lehtësues për subjektet që sponsorizojnë aktivitete në kulturë, art dhe sport, duke u mundësuar njohjen si zbritje të një vlere deri në 30% të tatimit mbi fitimin të paguar në vitin paraardhës. Kjo lehtësi rregullohet me një kufi maksimal prej 30 milionë lekësh në vit për çdo sponsor dhe me një tavan kombëtar prej 2 miliardë lekësh në vit.

–Një risi me vlerë të veçantë në këtë projektligj është edhe mundësia e mbështetjes së drejtpërdrejtë të sportistëve dhe artistëve që përfaqësojnë Shqipërinë në aktivitete ndërkombëtare. Ne e dimë mirë se përgatitja e një sportisti elitar apo e një artisti të ri për gara e skena ndërkombëtare ka kosto të larta individuale, dhe ky ligj u jep bizneseve mundësinë t’i mbështesin ata drejtpërdrejt.

–Përtej efektit të drejtpërdrejtë te përfituesit, ky mekanizëm sjell edhe një përfitim të madh fiskal për shtetin: ai shërben si incentivë e drejtpërdrejtë për formalizimin e ekonomisë. Sa më i plotë të jetë fitimi i deklaruar dhe detyrimi tatimor i një biznesi, aq më e madhe është mundësia e tij për të shfrytëzuar këtë lehtësi fiskale dhe për ta orientuar një pjesë të tatimit drejt një projekti të dokumentuar dhe të formalizuar. Pra, shteti nuk heq dorë në mënyrë të pakushtëzuar nga të ardhurat, por nxit transparencën fiskale dhe krijon një qarkullim të ri ekonomik të formalizuar.

Së dyti, projektligji e zgjeron ndjeshëm fushën e aktiviteteve me interes publik, duke prodhuar përfitime të drejtpërdrejta në ekonomi, shëndetësi, kohezion social dhe parandalimin e kriminalitetit.

Përtej artit, kulturës dhe sportit, kuadri i ri ligjor përfshin edhe fusha të tjera jetike për shoqërinë, si arsimi, kërkimi shkencor, shëndetësia, mjedisi, trashëgimia kulturore, ndihma humanitare dhe zhvillimi social.

Për Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, thelbi i këtij projektligji lidhet me bindjen se kultura dhe sporti nuk duhen parë më si thjesht një faturë shpenzimesh buxhetore, por si investime strategjike me një vlerë të trefishtë: ekonomike, shëndetësore dhe shoqërore.

–Në dimensionin ekonomik, sipas UNESCO-s, industritë kulturore dhe krijuese kontribuojnë me rreth 3,1% në Prodhimin e Brendshëm Bruto global dhe përfaqësojnë 6,2% të punësimit botëror, ekuivalente me rreth 48,4 milionë vende pune me kohë të plotë.

–Në dimensionin shëndetësor, analiza e OECD-së dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë për 36 vende dëshmon se politikat që nxisin aktivitetin fizik mund të shmangin rreth 14 miliardë euro kosto shëndetësore deri në vitin 2050, duke gjeneruar një kthim ekonomik prej 1,7 eurosh për çdo 1 euro të investuar. Po ashtu, studimet e OBSH-së dhe OECD-së vërtetojnë se pjesëmarrja aktive në art, kulturë dhe sport ul ndjeshëm sëmundjet kronike, redukton stresin dhe përmirëson shëndetin mendor të popullsisë, duke lehtësuar barrën financiare mbi sistemin publik shëndetësor.

–Në dimensionin shoqëror dhe të sigurisë komunitare, investimi në sportin masiv, akademitë e fëmijëve dhe qendrat kulturore në komunitet është një nga instrumentet më të fuqishme parandaluese kundër kriminalitetit dhe sjelljeve antisociale tek të rinjtë. Kur fëmijët dhe adoleshentët kanë akses në terrene sportive, klube dhe aktivitete kulturore pas shkolle, ulet ndjeshëm ekspozimi i tyre ndaj rrugës, braktisjes shkollore, varësive dhe kriminalitetit të të miturve. Pra, çdo lek i sponsorizuar në një klub sportiv apo projekt kulturor komunitar është një investim i drejtpërdrejtë në edukim, përfshirje sociale dhe rend publik.

–Paralelisht me këtë impakt social, mbetet i jashtëzakonshëm efekti shumëfishues që eventet kulturore dhe sportive krijojnë në turizëm dhe në ekonominë lokale. Kur një event tërheq vizitorë nga jashtë vendit, ai aktivizon menjëherë të gjithë zinxhirin lokal të furnizimit: hotelet dhe strukturat akomoduese, restorantet dhe gastronominë, transportin, tregtinë, kompanitë vendase të produksionit, skenografisë, sigurisë, logjistikës dhe mediat, duke ndihmuar njëkohësisht në shpërndarjen e flukseve në territor dhe në zgjatjen e sezonit turistik përtej muajve të verës.

Eksperienca ndërkombëtare dhe përvoja jonë e fundit ofrojnë prova të pakundërshtueshme për këtë kthim ekonomik e fiskal:

–Në Evropë, studimet tregojnë se Edinburgh Festivals në Skoci gjeneron 33 paund aktivitet ekonomik për çdo 1 paund financim publik. Ndeshja e NFL në Dublin në vitin 2025 solli 104,5 milionë euro impakt ekonomik, rreth 10,5 herë më shumë se financimi publik dhe gjeneroi 2,24 euro të ardhura tatimore për çdo 1 euro publike të shpenzuar. Formula 1 në Imola (2022) solli mbi 274 milionë euro përfitim ekonomik total, nga të cilat 172 milionë euro ishin vetëm vlerë e ekspozimit mediatik të qytetit. Festivali i Kanës (2024) gjeneron mbi 200 milionë euro në ekonominë lokale dhe 90.000 net-qëndrime, ndërsa Salzburg Festival në Austri gjeneron rreth 250 milionë euro vlerë të shtuar në ekonomi dhe 96 milionë euro në taksa e kontribute publike, duke u financuar në mbi 72% të tij nga burime jopublike.

–Edhe në Shqipëri, ne kemi parë tashmë potencialin e ngjarjeve të mëdha. Zhvillimi i tri etapave të Giro d’Italia në vitin 2025 bëri që 42% e spektatorëve të qëndronin të paktën një natë në vend dhe 39% të ndiqnin më shumë se një etapë, duke sjellë konsum të drejtpërdrejtë në Tiranë, Durrës dhe Vlorë. Po ashtu, koncerti i YE në Tiranë këtë vit mblodhi rreth 60.000 spektatorë, prej të cilëve 27.000 vizitorë të huaj nga 88 shtete, dhe rriti 115 herë kërkimet digjitale ndërkombëtare për Shqipërinë.

–Deri më sot, për ngjarje të tilla të mëdha shteti është dashur shpesh të ndërhyjë me financime të veçanta nga fondi rezervë i buxhetit. Përmes këtij projektligji, ne ulim presionin mbi buxhetin e shtetit, e ndajmë koston e organizimit me sektorin privat dhe krijojmë mundësinë që eventet tona të rrisin cilësinë dhe konkurrueshmërinë në tregun ndërkombëtar.

Së treti, projektligji vendos një standard të ri, të rreptë transparence, gjurmueshmërie dhe kontrolli.

Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm se çdo lehtësi fiskale duhet të shoqërohet me garanci maksimale kundër abuzimit. Për këtë arsye, ky projektligj është hartuar duke marrë në konsideratë standardet më të larta evropiane dhe përmes konsultimeve të ngushta me Komisionin Europian, për të garantuar integritetin dhe llogaridhënien e plotë të çdo qindarke të orientuar drejt interesit publik:

–Gjurmueshmëri e plotë financiare: Të gjitha donacionet dhe sponsorizimet do të kryhen vetëm përmes transfertave bankare, duke përjashtuar çdo transaksion me para në dorë.

–Regjistri Elektronik Kombëtar i Sponsorizimeve: Krijohet një regjistër i posaçëm elektronik, i administruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe i integruar me platformën e-Albania, ku do të pasqyrohet çdo kontratë dhe çdo transaksion.

–Afatet e regjistrimit dhe raportimit: Kontratat duhet të regjistrohen brenda 60 ditëve, ndërsa si sponsori ashtu edhe përfituesi kanë detyrim ligjor të raportojnë mbi përdorimin e fondeve dhe realizimin konkret të projektit.

–Transparencë e shtuar për institucionet publike: Kur përfitues janë institucionet publike, ato kanë detyrimin e publikimit të kontratave brenda 10 ditëve, si dhe të marrjes së miratimit paraprak me shkrim për donacionet dhe sponsorizimet që vijnë nga burime të huaja, në rastet e përcaktuara nga ligji.

–Kufizime dhe ndalime të qarta etike e ligjore: Vendosen ndalime të prera për donacionet anonime, si dhe rregulla kufizuese për institucionet që, për shkak të natyrës së funksionit të tyre, duhet të ruajnë pavarësinë dhe paanshmërinë. Gjithashtu, parashikohen kufizime të qarta për subjektet që ushtrojnë veprimtari në sektorë si duhani, alkooli dhe lojërat e fatit, duke mbrojtur kështu interesin publik dhe shëndetin e qytetarëve.

Ky projektligj nuk vjen për të zëvendësuar përgjegjësinë kushtetuese dhe ligjore të shtetit për financimin e kulturës, sportit, arsimit apo shëndetësisë. Përkundrazi, ai vjen për ta plotësuar dhe shumëfishuar atë.

Me këtë ligj të ri ne fitojmë në disa drejtime njëherësh:

–Krijojmë një instrument real që mobilizon kapitalin privat pa rënduar taksapaguesit;

–Nxisim formalizimin e bizneseve dhe transparencën tatimore;

–U japim artistëve, sportistëve, federatave dhe organizatave kulturore mundësi të reja financimi për të rritur cilësinë dhe përfaqësimin ndërkombëtar;

–Përmirësojmë shëndetin publik dhe parandalojmë kriminalitetin tek të rinjtë përmes aksesit më të gjerë në sport dhe kulturë;

–Lidhim drejtpërdrejt kulturën dhe sportin me zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë lokale;

–Vendosim një sistem digjital kontrolli dhe transparence që parandalon çdo konflikt interesi.

Zhvillimi i Shqipërisë në këtë fazë të re kërkon jo vetëm politika publike dhe investime shtetërore, por edhe një angazhim të strukturuar të sipërmarrjes private. Ky projektligj e kthen mbështetjen për interesin publik në një përgjegjësi dhe mundësi të përbashkët për të gjithë.

Ndaj, ju ftoj ta diskutojmë në frymë konstruktive dhe ta mbështesim këtë nismë të rëndësishme ligjore.

/tvklan.al