Ka zgjedhur shkollën 9-vjeçare të Rubikut, zonja Liri Berisha, në cilësinë e presidentes së Fondacionit “Fëmijët Shqiptarë”, për t’u uruar vogëlushëve për fillimin e vitit të ri shkollor.

Një ditë që përkoi edhe me ceremoninë e inaugurimit të përfundimit të punimeve për rikonstruksionin e kësaj shkolle, sipas standardeve më të mira.

Një fakt që zonja Berisha e përmendi në fjalimin e saj përshëndetës përpara nxënësve dhe mësuesve, duke theksuar se ky investim i buxhetit përmbush premtimin kryesor të qeverisë për një arsimim cilësor të brezave.

Zonja Berisha uroi vogëlushët për një vit të suksesshëm shkollor, duke u kujtuar rëndësinë që ka arsimi për të ardhmen e tyre.

 Liri Berisha: “Dita e parë e shkollës, fillimi i vitit të ri shkollor pothuajse në çdo familje shqiptare është kthyer në një gëzim dhe ne këtë gëzim sot kemi ardhur ta festojmë me ju. Më v jen shumë mirë dhe dua te them që nxënësit e çdo shkolle, rinia, fëmijët të gjithë, ëndrrat e tyre i kanë të bukura dhe të shumta. Të gjithë këto ëndrra fillojnë realizimin e tyre këtu në shkollë me këto libra që ju do mësoni sot. Jemi këtu t’ju urojmë një vit të mbarë shkollor, rezultate sa më të larta në mësime, aktivitete të shumta, të keni sa më shumë përparime që të bëhen i qytetar të nderuar të këtij vendi.”

Vizitën e saj në Rubik, zonja Liri Berisha, në cilësinë e presidentes së Fondacionit “Fëmijët Shqiptarë”, e shoqëroi edhe me shpërndarjen e librave shkollor për 100 nxënës të këtij qyteti, familjet e të cilëve janë në vështirësi ekonomike, si dhe librave për të gjithë ata vogëlushë që ulen për herë të parë në bankë.

Drejtuesit lokalë falënderuan ndihmën e fondacionit për familjet në nevojë të rrethit të Rubikut, posaçërisht zonjën Berisha për vëmendjen dhe kujdesin e veçantë për këta fëmijë.

Dita e parë e shkollës ishte shumë impenjative për zonjën Berisha, e cila në Tiranë, shoqëroi mbesat e saj për në shkollë.

Kjo ishte një ditë e veçantë për të, që nuk mund ta humbiste në asnjë rast. Vogëlushët mësojnë në shkollën “Kosova”, një zgjedhje kjo aspak e rastësishme, por një dëshmi për besimin ndaj arsimit publik në Shqipëri.

Ashtu sikundër pritej, dita e parë e shkollës ishte e zhurmshme dhe e mbushur me emocionet e fëmijëve, kryesisht atyre që sot ulen për herë të parë në bankë./tvklan.al