Fondacioni “Fëmijët Shqiptarë” ka vazhduar mbështetjen për zonat e përmbytura në qarkun e Shkodrës.

Presidentja e këtij fondacioni, zonja Liri Berisha ka vizituar disa nga familjet e përmbytura në komunën Bushat, të cilëve u shpërndanë edhe një sasi ndihmash të mbledhura nga Fondacioni “Fëmijët Shqiptarë”.

Gjatë kësaj vizite, zonja Berisha u takua edhe me kryetarin e komunës Bushat, Zef Hila, i cili e informoi për gjendjen aktuale të këtyre familjeve.

Liri Berisha: “Ju keni solidaritetin e të gjithë shqiptarëve sot me ju. Të gjithë prefektura e Shkodrës, komunat do ju mbështesin. Qeveria do ju mbështesë patjetër, do bëhen zhdëmtimet sipas asaj që ju kanë thënë dhe vështirësinë do ta kaloni, gradualisht po do ta kaloni. Ne sot jemi si fondacion, ndihma jonë është një ndihmë modeste, po sado modeste të jenë ndihmat e të gjithë atyre që solidarizohen me ju, është ndihmë e madhe për ju.”

Këto nuk janë ndihmat e para që Fondacioni “Fëmijët Shqiptarë” jep për familjet e përmbytura në zonën e Shkodrës.

Disa ditë më parë ky fondacion dhuroi 10 mijë euro për familjet e këtyre zonave, ndërsa zonja Berisha siguroi se ndihmat për të dëmtuarit nga përmbytjet do të vijojnë edhe në ditët që vijnë./tvklan.al