Këtë të enjte, 12 nëntor, u mbajt në Gjykatën e Posaçme seanca e radhën për kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe ish-bashkëshorten e tij, Monika kryemadhi. Vetë Kryemadhi pas përfundimit të seancës pati një komunikim për mediat ku parashtroi kundërshtimet e saj lidhur me akuzat e lobimit në SHBA.

Ajo tha se nuk ka asnjë shkresë zyrtare që vërteton kontratën midis dy kompanive për çështjen e fibrës optike dhe kërkoi thirrjen e dëshmitarëve. Duke u ndalur edhe te deklarimet e pasurisë, ajo tha se është kërkuar pavlefshmëria e akteve për shkak të mungesës së dokumentacionit.

“Ata hamendësojnë sikur janë bërë pagesa për LSI-në, por kur merr ‘statement-in’ bankar, i cili ka ardhur nga letërporosia në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rezulton që fatura që pretendohet nga organi i akuzës, pra nga SPAK-u, që është për LSI-në, nuk ka të njëjtin numër me atë që ka bërë pagesë kompania Unify për LSI-në”, tha Kryemadhi.

Më tej Kryemadhi sqaroi se kontrata e lobimit nuk ka asnjë firmë të Ilir Metës dhe se ky i fundit po mbahet pa të drejtë pre dy vitesh në paraburgimin e Tiranës.

“Ilir Meta ka vetëm dy komunikime me ta: kur ka ardhur ish-prokurori, pra përfaqësuesi i kompanisë GS, Denis Burke, në qershor të vitit 2016, për shkak të reformës në drejtësi në atë kohë, dhe kur kanë qenë në një takim që mund të jetë bërë, po themi, në shkurt, por përsëri të vitit 2016. Kontrata është e firmosur nga Petrit Vasili. Negociatat me këtë kompani janë bërë prej meje dhe ndërkohë, personi që ka bërë pagesat e faturave, të tre faturave të LSI-së, është sekretari i përgjithshëm Luan Rama. Në këtë kontekst, Ilir Meta, për hir të së vërtetës, ka zero komunikim”, shtoi ajo.


Çështja e lobimit të LSI-së (që sot mban emrin Partia e Lirisë) në SHBA ka përfunduar në Prokurorinë e Posaçme Anti Korrupsion që prej vitit 2022, pas kallëzimit të bërë nga ish-deputeti Halit Valteri. Në dosjen e depozituar në SPAK janë ngritur dyshime se i janë paguar 150 mijë dollarë një kompanie të huaj për të siguruar takime në SHBA. Për vitin 2016 kur pretendohet se janë paguar paratë, nga LSI janë deklaruar vetëm 11.7 milionë lekë shpenzime për këshillim.

Asokohe, Valteri kërkoi që pjesë e hetimit të ishte edhe një kontratë lobimi që Ilir Meta dhe anëtarë të tjerë të kësaj force politike kanë nënshkruar me kompaninë Global Security and Innovative Strategies me vlerë në total afro 123 mijë dollarë.

Ndërkohë, në deklarimet e tij më të fundit, ish-Presidenti i vendit, ka theksuar se kontrata në fjalë u lidh për të mbështetur reformën në drejtësi dhe për të garantuar që procesi te realizohej me konsensus politik. Ai argumenton se kryeministri Edi Rama po tentonte ta bënte reformën në drejtësi të njëanshme duke manipuluar DASH.

Vizitat e tij në SHBA si kryetar i Kuvendit (në atë kohë) thotë se kanë qenë zyrtare, të financuara nga Kuvendi dhe të koordinuara me ambasadat. Ai mohon shkeljet ligjore dhe akuzon prokurorët se kanë injoruar provat.

/tvklan.al