Shtetet e Bashkuara kanë sekuestruar gjatë natës një tanker nafte të lidhur me Iranin në Oqeanin Indian, raporton The Wall Street Journal, duke cituar tre zyrtarë amerikanë, sipas Reuters. Anija, e njohur si “Skywave”, ishte sanksionuar nga SHBA-të në muajin mars për rolin e saj në transportimin e naftës iraniane dhe dyshohet se ishte e ngarkuar me mbi një milion fuçi naftë bruto, të marrë nga ishulli Kharg i Iranit në muajin shkurt, thuhet në raport.
SHBA-të ‘goditje’ ndaj rrjetit të këmbimit valutor të Iranit
Departamenti Amerikan i Thesarit njofton se në listën e zezë është futur kompania iraniane Amin Exchange, e njohur edhe si Ebrahimi and Associates, e cila dyshohet se operonte përmes një rrjeti kompanish në Emiratet e Bashkuara Arabe, Turqi dhe Hong Kong. Po ashtu, SHBA-të kanë bllokuar edhe 19 anije që pretendon se përdoreshin për transportin e naftës dhe produkteve petrokimike iraniane drejt klientëve të huaj. Sipas Washingtonit, këto struktura ndihmojnë Iranin të shmangë sanksionet dhe të ketë akses në sistemin financiar ndërkombëtar.
SHBA-të vendos sanksione të reja ndaj Iranit
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur një paketë të re sanksionesh ndaj Iranit, sipas një njoftimi të publikuar të martën në faqen zyrtare të Departamentit Amerikan të Thesarit.
Në listën e re të sanksioneve përfshihen 12 individë, disa kompani si dhe një numër anijesh transporti detar, që dyshohet se janë të lidhura me aktivitetet ekonomike dhe tregtare të Iranit.
Autoritetet amerikane nuk kanë dhënë ende detaje të plota mbi arsyet specifike të masave të reja, por sanksionet vijnë në një kohë tensionesh të vazhdueshme mes Uashingtonit dhe Teheranit.
Masa të tilla synojnë kufizimin e rrjeteve financiare dhe tregtare që, sipas SHBA-ve, mbështesin aktivitetet iraniane të konsideruara problematike nga administrata amerikane.
Trump thotë se SHBA-të mund të godasin sërish Iranin
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, deklaroi të martën se Shtetet e Bashkuara mund të kenë nevojë ta godasin sërish Iranin dhe se ai ishte vetëm një orë larg marrjes së vendimit për një sulm, përpara se ta shtynte atë.
“Isha një orë larg marrjes së vendimit për të vepruar sot”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.
Ai shtoi gjithashtu se udhëheqësit iranianë po luten për të arritur një marrëveshje.
“Sulmi ndaj Iranit ishte gati, anijet ishin mbushur për luftë!”

Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se ishte vetëm “një orë larg” urdhrit për të goditur Iranin, përpara se të anulonte operacionin ushtarak. “Ishim gati të nisnim sulmin. Anijet dhe mjetet ushtarake ishin të mbushura dhe çdo gjë ishte gati”, u tha Trump gazetarëve.
Sipas tij, vendimi për të pezulluar sulmin erdhi pas kërkesës së vendeve të Gjirit, të cilat besonin se një marrëveshje mes Washingtonit dhe Teheranit ishte ende e mundur. Trump përmendi veçanërisht Arabinë Saudite, Katarin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajtin dhe Bahreinin.
“Ata më telefonuan dhe më kërkuan edhe disa ditë kohë, sepse besojnë se Irani po tregohet i arsyeshëm dhe se jemi pranë një marrëveshjeje”, u shpreh ai.
Trump shtoi se Irani ka afat vetëm “2 ose 3 ditë, ndoshta deri në fillim të javës së ardhshme” për të arritur një marrëveshje me SHBA-në.
Presidenti amerikan këmbënguli se opinioni publik e mbështet kur bëhet fjalë për çështjen e armëve bërthamore. Ai pretendon se aftësitë raketore të Iranit janë dëmtuar rëndë, duke thënë se “82% e raketave janë shkatërruar”, ndërsa paralajmëroi se Teherani ka ende “pak kapacitet” për t’u kundërpërgjigjur.
Trump akuzoi gjithashtu Iranin se prej dekadash ka përdorur Ngushticën e Hormuzit si “armë ushtarake”, duke theksuar se ajo është një rrugë ujore ndërkombëtare dhe jo nën kontrollin e Teheranit.
Izraeli urdhëron evakuime në jug të Libanit
Ushtria izraelite ka lëshuar urdhra evakuimi për banorët e 12 fshatrave në jug të Libanit, duke paralajmëruar sulme të afërta ndaj objektivave të Hezbollahut.
Sipas mediave izraelite, disa prej zonave të përfshira ndodhen në veri të lumit Litani. Autoritetet ushtarake u kanë kërkuar civilëve të largohen menjëherë për arsye sigurie.
Tensionet mes Izraelit dhe Hezbollahut vijojnë të mbeten shumë të larta në kufirin libanez.
FT: Izraeli mori 1000 km² territore pas 7 tetorit
Sipas Financial Times, Izraeli ka marrë nën kontroll rreth 1000 kilometra katrorë territor në Gaza, Liban dhe Siri që prej sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023.
Raporti thekson se më shumë se gjysma e kësaj zone ndodhet në jug të Libanit, ku ushtria izraelite ka krijuar një “zonë sigurie” kundër Hezbollahut.
Në Gaza, Izraeli kontrollon mbi gjysmën e enklavës palestineze, ndërsa në Siri ka zgjeruar praninë ushtarake pas rënies së regjimit të Bashar al-Assad. Sipas gazetës britanike, territori i marrë përbën rreth 5% të sipërfaqes së Izraelit të vitit 1949.
Teherani kërkon heqjen e sanksioneve në marrëveshjen me SHBA-të
Irani i ka paraqitur Uashingtonit një propozim të ri marrëveshjeje që përfshin heqjen e sanksioneve ndërkombëtare dhe zhbllokimin e aseteve iraniane të ngrira jashtë vendit.
Sipas mediave arabe, plani parashikon edhe fundin e bllokadës ekonomike ndaj Teheranit.
Propozimi përfshin gjithashtu ndalimin e konfliktit në rajon, përfshirë edhe Libanin. Lajmi është bërë i ditur nga zëvendësministri i Jashtëm iranian.
Irani riorganizoi bazat raketore gjatë armëpushimit
Sipas The New York Times, Irani ka shfrytëzuar periudhën e armëpushimit me SHBA-të dhe Izraelin për të rindërtuar dhe riorganizuar bazat e raketave balistike.
Një zyrtar ushtarak amerikan deklaroi se Teherani ka rivendosur dhjetëra pika lëshimi raketash dhe ka lëvizur sistemet mobile për t’u përgatitur për sulme të mundshme të reja.
Raportimi thekson se bombardimet amerikane dëmtuan hyrjet e bazave, por jo vetë lëshuesit, pasi ata ruheshin në tunele të thella nëntokësore. Irani po përshtat taktikat ushtarake për një rifillim të mundshëm të konfliktit.
Arabia Saudite kërkon qëndrim të përbashkët ndaj Iranit
Arabia Saudite po zhvillon bisedime intensive me vendet e Gjirit Persik, përfshirë Katarin dhe Omanin, për të pasur një qëndrim të përbashkët ndaj Iranit.
Sipas medias libaneze Al-Akhbar, Riadi është i pakënaqur me politikën e paparashikueshme të administratës së presidentit amerikan Donald Trump.
Arabia Saudite dyshon në vendimmarrjen e SHBA-ve dhe beson se Uashingtoni po vepron sipas interesave të Izraelit. Kjo situatë po ngadalëson edhe bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve mes Arabisë Saudite dhe Izraelit.












Botërori 2026 
