Shtetet e Bashkuara kanë konfirmuar se nuk do të lehtësojnë kufizimet e udhëtimit për përfaqësuesen e Iranit gjatë ndeshjeve të saj në Kupën e Botës, përfshirë takimet që zhvillohen në Los Angeles dhe Seattle.

Vendimi është bërë i ditur nga drejtori ekzekutiv i Task Forcës së Shtëpisë së Bardhë për turneun, Andreu Giuliani, i cili theksoi se plani aktual do të mbetet në fuqi, ndërsa situata do të vazhdojë të vlerësohet në mënyrë dinamike.

Sipas këtij rregullimi, ekipi iranian lejohet të udhëtojë drejt qytetit ku luan ndeshjen vetëm 24 orë para fillimit të takimit dhe duhet të kthehet menjëherë pas përfundimit të lojës në bazën e tyre stërvitore në Tijuana të Meksikës. Ky sistem ka shkaktuar pakënaqësi të madhe nga pala iraniane, e cila e ka cilësuar trajtimin si të padrejtë dhe ka deklaruar se ndjehen “ekipi më i shtypur në Kupën e Botës”.

Pas ndeshjes së parë ndaj Zelandës së Re, skuadra iraniane u kthye në Tijuana vetëm disa orë pas përfundimit të lojës, pa kaluar natën në hotel siç ndodh zakonisht në turne të tillë, gjë që sipas stafit teknik ka ndikuar negativisht në procesin e rikuperimit të lojtarëve. Trajneri Amir Ghalenoei ka deklaruar se skuadra kishte pritur të qëndronte të paktën një natë në Kaliforni për të ndjekur procedurat normale të rikuperimit pas ndeshjes.

Gjithashtu, është raportuar edhe një problem me vizat e hyrjes, ku sulmuesi Mehdi Taremi fillimisht pati vështirësi për të hyrë në SHBA, por më vonë autoritetet amerikane konfirmuan se çështja është zgjidhur me dhënien e një vize shumë-hyrëse për të.

Pavarësisht kritikave, autoritetet amerikane kanë mbrojtur masat e vendosura, duke argumentuar se ato janë pjesë e një sistemi sigurie dhe menaxhimi të turneut. Giuliani deklaroi se qëllimi kryesor është të sigurohet një turne i sigurt dhe i organizuar mirë, si për qytetarët amerikanë ashtu edhe për vizitorët ndërkombëtarë, duke shtuar se aktualisht nuk ka kërcënime të besueshme ndaj aktivitetit.

Ai gjithashtu theksoi se të gjithë lojtarët dhe trajnerët kanë marrë vizat e nevojshme, ndërsa disa zyrtarë të delegacionit iranian nuk i kanë marrë ende për shkak të kontrolleve të sigurisë. Sipas tij, shërbimet e inteligjencës amerikane janë në gatishmëri të shtuar dhe po monitorojnë situatën në mënyrë të vazhdueshme.

Irani pritet të zbatojë të njëjtin regjim udhëtimi edhe për ndeshjen e radhës ndaj Belgjikës në Los Angeles, ndërsa më pas autoritetet amerikane do të shqyrtojnë masat për ndeshjen e tretë që do të zhvillohet në Seattle kundër Egjiptit.

/tvklan.al