Kreu i Partisë Demokratike deklaron se po përgatitet arrestimi i kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako. Pas një mbledhje me krerët e degëve të Tiranës ku diskutoi detajet e protestës së ardhshme të opozitës, Basha tha se prangosja e Dakos është e vonuar.

“Orët e fundit janë intesifikuar informacionet se po përgatitet arrestimi i Vangjush Dakos. Arrestimi i Dakos duhet të kishte ndodhur që kur dosja 339 faktoi që ai dhe të tjerë socialistë janë kapur në përgjime zyrtare të prokurorisë duke bashkëpunuar me krimin e organizuar për të tjetërsuar votën e qytetarëve të Durrësit dhe gjithë Shqipërisë”.

Sipas Bashës, arrestimi i Dakos nuk e shpëton Kryeministrin nga përgjegjësia politike e vjedhjes së votave.

“Mund të flijohet Vangjush Dako, apo edhe njerëz të tjerë edhe më afër tij. Vendi nuk mund të mbetet më peng i njerëzve që e kanë plaçkitur. Edi Rama duhet të largohet”.

Më herët kryedemokrati Basha takoi aleatët e tij. Ata nuk përjashtuan idenë e marrjes së një tjetër vendimi ekstrem pas lënies së mandateve të deputetëve, atë për tërheqjen e të zgjedhurve vendorë.

Dashamir Shehi:

“Këto do të diskutohen pas datës 16. Të jeni të sigurtë që sulmi i opozitës do të jetë 360 gradë. Në të gjitha institucionet, në të gjithë hapësirën shoqërore, politike dhe ndërkombëtare. Këtë do e përcaktojmë pas datës 16 Mars kur do të jetë dhe protesta e madhe”.

Fatmir Mediu:

“Opozita duhet të bëjë çdo gjë që do ta çojë Shqipërinë në binarët kushtetues dhe europian. Problemi më i madh i Shqipërisë është korrupsioni

“.

Deklarata e plotë e Lulzim Bashës:

“Ajo që dua të ndaj sot me ju është një paralajmërim i qartë dhe i prerë për Edi Ramën. Asnjë përpjekje fasadë nuk do ta shpëtojë dot nga përgjegjësia politike dhe ligjore që ka. Ai është kapur duke vjedhur zgjedhjet me bandat e krimit të organizuar. Orët e fundit janë intensifikuar informacionet se po përgatitet arrestimi i Vangjush Dakos. Do t’ia them qartë shqiptarëve, që arrestimi i Vangjush Dakos duhet të kishte ndodhur qëkur dosja 339 faktoi që ai bashkë me të tjerë socialistë me emër dhe me mbiemër janë kapur në përgjimet zyrtare të prokurorisë duke bashkëpunuar me krimin e organizuar për të tjetërsuar votën e qytetarëve të Durrësit dhe gjithë Shqipërisë. Mosarrestimi është bërë me urdhër të Edi Ramës. Për të mos arrestuar Vangjush Dakon, Edi Rama madje flijoi edhe një nga benjaminët  e tij, Fatmir Xhafën. Ndaj arrestimi i Vangjush Dakos duhet të ndodhë një orë e më parë, por nuk e shpëton urdhëruesin e krimit të gjithë krimeve, bashkëpunimit të hapur të sektit kriminal të Rilindjes me organizatat e narkotrafikut, nga Avdylajt në Shijak tek Bajrajt në Shkodër, Çelët e Sanxhaktarët në Elbasan, e Shullazi me shokë në Tiranë e kudo që ndodhen. Nuk e shpëton Edi Ramën.

Problemi në këtë vend zgjidhet vetëm me largimin e Edi Ramës. Mund të flijojë Gjush Dakon, i cili e ka vendin prapa hekurave dhe uroj të arrestohet që sonte. Mund të shkojë deri në flijimin e njerëzve të tjerë më të afërt të tij të kapur në bashkëpunim me krimin e organizuar. Por asgjë nuk ndryshon në vendosmërinë e opozitës së bashkuar dhe jam i bindur edhe në besimin më të thellë të qytetarëve shqiptarë, të djathtë e të majtë, se vendi nuk mund të mbetet më peng i një njeriu të kapur në vjedhje votash me krimin e organizuar dhe që pastaj ka plaçkitur Shqipërinë për të pasuruar veten e tij dhe një grusht oligarkësh dhe kriminelësh. Edi Rama duhet të largohet. Mjaft është mjaft! Kupa është mbushur dhe veprimi politik i opozitës sikundër jam i bindur dhe përgjigjia e qytetarëve tani që jemi në krah të tyre pa asnjë privilegj dhe asnjë imunitet të padiferencuar nga ata, do të vazhdojë të jetë masive, e qëndrueshme dhe e bashkuar. Nuk ka zgjidhje tjetër, përveç se largimit të Edi Ramës, një qeverie tranzitore me njerëz të palidhur me krimin, nisjes së hetimeve dhe përfundimit të tyre me sukses, dhe një Parlament që del nga vota e qytetarëve, nga vota e njerëzve që u takon njerëzve dhe punon për njerëzit. Prandaj është shumë e rëndësishme që Dako të arrestohet padiskutim, të arrestohen edhe të tjerët që çdo politikani të çfarëdo ngjyre, çfarëdo kampi, nesër të mos i shkojë në mendje të ulet me Niçet për të shtrembëruar vullnetin e popullit.

Parlamenti do t’i takojë popullit, qeveria do t’i takojë popullit, qeveria dhe Parlamenti i ardhshëm do ta lidhi fatin me fatin e njerëzve. Janë njerëzit ata që do të gjykojnë mbi fatin e tyre me votë të lirë dhe të ndershme. Pra beteja po avancon, po avancon edhe aty ku i strukur në vrimën e miut nga frika është gati të dorëzojë bashkëpunëtorët e tij në krim, por ftoj të gjithë qytetarët dhe në veçanti faktorin ndërkombëtar, mos gënjejë veten, se shqiptarët nuk i gënjen dot më, nuk është punë kokë Gjushësh apo kokë Sejdinësh. Edi Rama duhet dhe do të largohet. Me Edi Ramën në krye të vendit, Shqipëria nuk do të bëjë asnjë hap përpara dhe opozita do të vazhdojë e vendosur betejën e saj deri në largimin e kapobandës dhe çlirimin e Shqipërisë, demokracisë dhe të Partisë Socialiste”

.

Tv Klan