Presidenti francez, Emmanuel Macron, bëri thirrje që Britania e Madhe të qëndrojë pranë fqinjëve të saj europianë, pavarësisht daljes nga Bashkimi Europian. Ai deklaroi se Franca dhe Mbretëria e Bashkuar mund të “shpëtojnë Europën” përmes mbrojtjes së demokracisë, sundimit të ligjit dhe rendit ndërkombëtar në një botë gjithnjë e më të rrezikshme.
Deklaratat e Macron erdhën në nisjen e një vizite shtetërore treditore në Mbretërinë e Bashkuar, e para zyrtare e një kreu shteti të BE-së në Britani që nga Brexit-i. Vizita, e zhvilluar me ftesë të Mbretit Charles, përfaqëson një përpjekje për të rivendosur marrëdhëniet mes Britanisë dhe BE-së pas largimit të Londrës nga unioni në vitin 2020.
Duke folur përpara anëtarëve të të dyja dhomave të Parlamentit britanik, Macron theksoi rëndësinë e aleancës mes dy vendeve si mbrojtëse të një “rendi botëror të bazuar në ligj, drejtësi dhe respekt për integritetin territorial, një rend që sot sulmohet çdo ditë”.
“Mbretëria e Bashkuar dhe Franca duhet të tregojnë sërish se aleanca jonë mund të bëjë ndryshimin. Ne do ta shpëtojmë Europën përmes shembullit tonë dhe solidaritetit”, tha Macron.
Ai theksoi se pavarësisht se Britania ka dalë nga BE, “ajo nuk mund të qëndrojë në anë”.
“Mbrojtja dhe siguria, konkurrueshmëria, demokracia, vetë thelbi i identitetit tonë, janë të ndërlidhura në të gjithë kontinentin europian”, tha ai.
Presidenti francez theksoi se Britania dhe Franca kanë detyrimin të përballen me emigracionin e parregullt “me humanizëm, solidaritet dhe vendosmëri”.
Sipas tij, një zgjidhje e qëndrueshme mund të arrihet vetëm duke vazhduar të punohet me vendet e origjinës dhe tranzitit në rrugët globale të emigracionit.
Macron vuri në dukje se “shpresa për një jetë më të mirë është legjitime”, por asnjë nga dy vendet nuk mund të lejojë që bandat kriminale të shfrytëzojnë njerëzit dhe të shkelin rregullat.
Britania, ndonëse pret më pak kërkesa për azil se vendet e Mesdheut, përballet me mijëra emigrantë që përpiqen të kalojnë Kanalin e La Manshit nga veriu i Francës me gomone ose të fshehur në kamionë. Pavarësisht marrëveshjeve të shumta me Francën për shtimin e patrullimeve dhe shkëmbimin e informacionit për të luftuar trafikantët, efektet kanë qenë të kufizuara.
Sipas qeverisë britanike, 44 mijë e 125 kalime të parregullta përmes Kanalit u regjistruan deri në mars 2025, një rritje prej 14% në krahasim me vitin e kaluar. Universiteti i Oksfordit raportoi se nga janari deri në maj 2025, rreth 14 mijë e 800 kalime janë bërë me gomone, shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë për këtë periudhë.
Macron deklaroi se udhëheqësit janë të përkushtuar që “të zgjidhin atë që sot përbën një barrë për të dy vendet tona”.
Presidenti Macron dhe kryeministri britanik Keir Starmer po bashkëpunojnë ngushtë për të mbështetur Ukrainën.
Edhe pse kanë qasje të ndryshme ndaj Donald Trump, me Macron më kritik ndaj tij, të dy ata kanë udhëhequr përpjekjet për krijimin e një force ndërkombëtare paqeruajtëse për Ukrainën, që do të përforconte një armëpushim të ardhshëm me trupa europiane dhe garanci sigurie nga SHBA-të.
Megjithatë, Trump ka treguar pak entuziazëm për këtë ide dhe një armëpushim ende nuk është arritur.
Zyrtarët britanikë thonë se “koalicioni i të gatshmëve” është ende aktiv dhe Macron me Starmer do të marrin pjesë në një videokonferencë ndërkombëtare të enjten për të diskutuar mbi planifikimin e forcës.
Macron tha se ky koalicion është një dëshmi se “europianët nuk do ta braktisin kurrë Ukrainën”./tvklan.al












Botërori 2026 
