Rolando Maran është gati për debutimin zyrtar në krye të Kombëtares shqiptare, ku kuqezinjtë më 26 shtator do të presin në “Air Albania” Bjellorusinë, në ndeshjen e vlefshme për Ligën e Kombeve. Kompeticion që, për italianin, duhet marrë seriozisht. Në një intervistë për TV Klan, ai thekson se rezultatet pozitive mund të na afrojnë me Europianin e vitit 2028.

“Është nisja e rrugëtimit tonë dhe duhet të marrim rezultate pozitive. Duhet ta bëjmë për ta shtruar rrugën dhe mbi të gjitha për të qenë sa më afër Europianit të ardhshëm. Duhet t’i harrojmë ato dy ndeshje miqësore në qershor, sepse ishin në një kontekst të çuditshëm. Kisha vetëm 10 ditë kohë, por më shërbyen për të nxjerrë disa përfundime.”

Shumë futbollistë të Kombëtares ndryshuan skuadër në këtë merkato vere, diçka për të cilën trajneri thotë se do t’i rrisë në të gjitha aspektet.

“Ka qenë një merkato aktive e lojtarëve të Kombëtares. Disa kanë ndryshuar në mënyrë radikale kampionatet. Çdo aventurë sjell fryte tek një lojtar. Uroj që të luajnë me ekipet e tyre dhe në këtë mënyrë do të rriten si lojtarë.

Por sa larg mund të shkojë Shqipëria në këtë rrugëtim të ri nën drejtimin e Maran?

“Kjo është një skuadër që mund të rritet shumë. Mund të na afrohen edhe lojtarë të rinj në grup, të cilët i kam ndjekur nga afër gjatë kësaj kohe. Ndonjëri prej tyre mund të jetë pjesë e listës. Kam parë edhe lojtarë nga kampionati shqiptar. Tani është momenti për të dalë në përfundime.”

Dhe nëse pas dy vitesh rrugëtimi i tij me kuqezinjtë do të mbyllet, për çfarë dëshiron të mbahet mend italiani?

“Që kam përfaqësuar kombin tonë.”

Tv Klan

/tvklan.al