Rolando Maran ka grumbulluar 27 futbollistë për dy ndeshjet e fundit të Ligës së Kombeve kundër Finlandës dhe Bjellorusisë.
Në listë janë rikthyer nga dëmtimet Arlind Ajeti dhe Qazim Laçi, por mungojnë Tomas Strakosha, Marash Kumbulla, Sabah Kerjota apo Anis Mehmeti.
Ftesë për herë të parë ka marrë mbrojtësi Ysni Ismaili, i cili merr vendin e Ivan Balliut që e ka mbyllur aventurën me Kombëtaren. Trajneri italian shpjegoi zgjedhjet.
“Ishte vendimi i tij. Balliu ka një dëmtim që nuk e lejon të luajë si me Kombëtaren ashtu edhe me klubin dhe ka dashur që ta menaxhojë në këtë mënyrë. Kam grumbulluar këta lojtarë sepse kam dashur të konfirmoj të njëjtin bllok me të cilët luajta ndeshjet e para. Jam i kënaqur nga puna e tyre, por kam marrë parasysh edhe formën e tyre me skuadrat ku luajnë”, tha Maran.
Maran vlerësoi paraqitjet e kuqezinjve në ndeshjet e para, por pranoi se ka disa elementë ku duhet të përmirësohemi.
“Ne jemi të parët në Ligën C thuajse në të gjitha statistikat. Numrat konfirmojnë se kemi bërë mirë në disa aspekte, por sigurisht që kemi gjëra për të përmirësuar. Ne punojmë për t’u përmirësuar. Më pëlqen presioni që kemi për të mbajtur vendin e parë në grup. Besoj se do t’ia dalim”, tha Maran.
Për herë të parë pati edhe një koment për portierin e Kaljarit Elia Kaprile dhe Gërxhaliun, të cilët u pajisën me pasaportë shqiptare.
“Për momentin që flasim nuk e mora në konsideratë këtë gjë. U pajisën me pasaportën dhe luajnë në kampionate të rëndësishëm. Nëse do të jenë për Kombëtaren do t’i kemi nën vëzhgim”, tha Maran.
Kombëtarja do të nisë stërvitjen ditën e hënë në “Shtëpinë e Futbollit”, ku për herë të parë ajo do të jetë e hapur për tifozët që kanë dëshirë ta ndjekin nga afër.
Ndeshja e parë do të jetë ajo kundër Finlandës në Arenën Kombëtare më 12 nëntor, ndërsa 3 ditë më vonë kundër Bjellorusisë në Hungari. Sfidat do të transmetohen në TV Klan.
/tvklan.al












Botërori 2026 
