6 Nëntor, 2026- Trajneri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran publikoi listën e lojtarëve të ftuar për dy ndeshjet e fundit të UEFA Nations League ndaj Finlandës dhe Bjellorusisë.

Ajo që bie në sy është largimi i mbrojtësit Ivan Balliu nga Kombëtarja, gjë e cila u konfirmua edhe nga vetë Maran.

Trajneri u shpreh se largimi i Balliut nga kombëtarja ishte vendimi i vetë lojtarit.

“Sa i përket Ivan Balliut, ka qenë një zgjedhje e tij. Prej kohësh ai ka një bezdisje, një tip dëmtimi dhe do ishte e vështirë për tu përqëndruar te puna e tij me klubin, kështu që është vendimi tij për tu larguar nga Kombëtarja. Sa i përket Tomas Strakoshës kemi qenë në komunikim. Aktualisht nuk është në 100% e tij dhe jemi fokusuar tek faza e tij e rikuperimit”, u shpreh Maran.

Ndërsa një risi e këtij grumbullimi është Ysni Ismaili, futbollisti i Dinamos i cili ftohet për herë të parë në kombëtare

Maran u shpreh se për listën është bazuar tek forma e lojtarëve pasi ndeshjet e radhës në Ligën e Kombeve kërkojnë që futbollistët të jenë në gjendje optimale.

“Kur përgatis një listë jam i bindur gjithmonë se kjo do jetë lista e duhur. Jam bazuar shumë edhe tek forma e lojtarëve që po luajnë aktualisht dhe minutazhet që ato kanë duke qenë se këto dy ndeshje janë dy ndeshje që kanë nevojë që lojtarët të jenë në gjendjen optimale për të dhënë shumë më tepër shpejtësi dhe për të ndihmuar skuadrën dhe të jenë në kushtet e tyre më të mira. Sa i përket statistikave, në Ligën C jemi të parët sa i përket pritshmërive për të shënuar gol. Jemi në vendin e parë sa i përket ekipeve që kanë pësuar më pak gola dhe në vend të parë sa i përket gjuajtjeve që kemi pasur në portë. Për ti përmirësuar duhet të jemi më konkretë për të shfrytëzuar rastet”, tha trajneri i kombëtares.

Tekniku theksoi se objektivi i skuadrës është vendi i parë në grup, ndërsa për futbollistin Indrit Tuci, Maran u shpreh se e pëlqen si lojtar dhe nëse vazhdon me formën e mirë është i mirëpritur në kombëtare.

“Presioni në fakt është i atij llojit pozitiv i cili të nxit të bësh mirë dhe të luash mirë dhe të arrijmë atë objektivin tonë që të jemi në krye të grupit sepse i kemi mundësitë. Kam folur edhe me lojtarët dhe kam kuptuar se edhe ata duan që ta arrijnë këtë objektiv. Është një presion pozitiv. Sa i përket Indrit Tucit është një lojtar që ne jemi duke e ndjekur. Në fakt unë në këtë grumbullim, në këtë listë kisha dëshirë të konfirmoja këta lojtarë të cilët më kanë pëlqyer dhe kanë bërë mirë në katër ndeshjet e para. Në njëfarë mënyrë të konfirmoja bllokun e lojtarëve me të cilët kam punuar deri tani. Por sigurisht është një lojtar i mirë që më pëlqen dhe në momentin që do vazhdojë të jetë në formë të mirë dhe të shënojë mirë se të vij në kombëtare sepse kombëtarja ka nevojë për lojtarë të cilët janë në formë të mirë dhe mund ta ndihmojnë skuadrën”, tha trajneri i kombëtares.

Sa i takon futbollistëve që aktivizohen në futbollin aziatik si Asani por jo vetëm, Maran u shpreh se të gjithë janë në vëmendjen e tij por ka zgjedhur ti japë vazhdimësi lojtarëve që ka aktivizuar në ndeshjet e kaluara.

“Sigurisht që janë në vëmendjen tonë, por me këtë listë kam dashur të jap vazhdimësi tek ata lojtar të cilët më kanë dhënë besim dhe më kanë pëlqyer edhe në ndeshjet e kaluara”, u shpreh trajneri.

Tekniku u pyet edhe për “luftën” mes kombëtareve të Kosovës dhe Shqipërisë për talentet e rinj, me Maran që theksoi se kush zgjedh të luajë për kombëtaren shqiptare e bën sepse është krenar për ta përfaqësuar.

“Në fakt unë kam fanellën kuqezi dhe kush pranon të luajë për kombëtaren shqiptare e bën sepse është krenar për ta përfaqësuar këtë fanellë. Këtë gjë ma keni mësuar ju se çfarë do të thotë të luash për kombëtaren e Shqipërisë. Kush zgjedh të luajë për kombëtaren shqiptare e bën sepse është krenar për ta përfaqësuar”, tha trajneri.

Grumbullimi i Kombëtares do të nisë të hënën zyrtarisht me kuqezinjtë që nisin përgatitjet për dy sfidat vendimtare ndaj Finlandës, që luhet më datë 12 nëntor, ora 20:45 në stadiumin “Air Albania” dhe ndaj Bjellorusisë, që luhet më datë 15 nëntor në stadiumin “Illovszky Rudolf” të Budapestit në Hungari.

Shqipëria aktualisht renditet në vendin e parë në Grupin C1 me 9 pikë, e ndjekur nga Bjellorusia dhe Finlanda me nga 7 pikë secila.

Ndeshjet ndaj Finlandës dhe Bjellorusisë do të transmetohen në Tv Klan.