Trajneri i Shqipërisë, Rolando Maran, foli në konferencë për shtyp, në prag të ndeshjes me Bjellorusinë.
Tekniku kuqezi deklaroi se Kombëtarja nuk bën llogari, por futet në fushë maksimumin.
Lidhur me mundësinë që Shqipërisë i mjafton edhe një barazim, Maran deklaroi se në grup nuk është bërë asnjë diskutim për këtë, ndërsa theksoi se nuk ka vendosur ende për formacionin.
“Nuk kemi bërë llogari. Nuk jemi skuadër që kursehet. Futemi në fushë për të dhënë më shumë se ndeshja e fundit dhe për të marrë rezultatin që duam.
Na mjafton edhe barazimi? Nuk ka pasur asnjë moment diskutim për një barazim. Kemi menduar të japim maksimumin, për të marrë më të mirën. Vëmendja është te mënyra si do të paraqitemi në fushë dhe të japim maksimumin për këtë fanellë.
Mungesa e kohës? Vlen edhe për ne, por edhe për kundërshtarin tjetër, duke qenë se nuk ka pasur shumë kohë për tu përgatitur. Punohet më shumë nëpërmjet video-analizës, sesa fushës. Vlen edhe për kundërshtarin kjo. Në ndeshje të tilla duhet të shikojmë situatat e caktuara që mund ta na ndihmojnë.
Në raste të tilla kur ndeshjet janë afër, është e vështirë të kesh një formacion të përcaktuar. Nesër do shikoj gjendjen e lojtarëve dhe më pas do të vendos. Kam disa gjëra në mendje, por duhet të marr përgjigjet nesër”, deklaroi Maran.
Shqipëria vjen si kryesuese e grupit C1 në Ligën e Kombeve, me 12 pikë. Bjellorusia ndjek në vendin e dytë me 10 pikë.
Kuqezinjve iu mjafton një barazim për të siguruar vendin e parë dhe ngjitjen në Ligën B, pasi kjo është ndeshja e fundit e grupit.
/tvklan.al












Botërori 2026 