15 nëntor 2026 – Është zhvilluar sot në kryeqytet edicioni i 10-të i Maratonës së Tiranës ku morën pjesë rreth 5.800 garues.

Gara përfshinte maratonën e plotë prej 42 kilometrash, gjysmëmaratonën 21 kilometra, garën 10 kilometra, kategorinë e re 5 kilometra dhe garën 3 kilometra “We Too”. Kjo e fundit bëri pjesë personat me aftësi të kufizuara duke përcjellë mesazhin se sporti është për të gjithë.

Sportistja Luiza Gega ka triumfuar në maratonën e plotë prej 42 kilometrash duke fituar çmimin e madh prej 5 mijë eurosh, ndërsa në kategorinë e meshkujve vendin e parë e mori Fotion Konomi.

Eventi sportiv ka nisur që prej orës 08:00 ndërsa në kuadër të planit të masave të hartuar nga Policia për garantimin e mbarëvajtjes, qarkullimi është pezulluar në disa akse kryesore deri në orën 16:00.

Disa nga rrugët që janë bllokuar janë që nga Sheshi “Nene Tereza” duke vazhduar në të gjithë bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, bulevardi “Zog I”, “Bulevardi i Ri”, rruga e “Durrësit” ajo e “Kavajës”, rruga “Myslym Shyri”, bulevardi “Zhan D’Ark” nga kryqëzimi me rrugën “George W Bush” deri në kryqëzimin me bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Gjithashtu bllokim dhe devijim te qarkullimit ka edhe në Unazën e Mesme përveç segmentit ura e Gjykatës së Rrethit Tiranë deri tek Rruga e “Elbasanit”, rruga “Luigj Gurakuqi”, rruga e “Dibrës”, rruga e “Barrikadave”, rruga “Mine Peza”, rruga e “Kavajës” nga ura te shkolla teknologjike deri te kryqëzimi “21 Dhjetori”. Për shkak të maratonës, është devijuar dhe transporti i linjave publike të transportit.