Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio bëri me dije se Shtetet e Bashkuara dhe Greqia po nisin një bashkëpunim të ri për shkëmbimin e informacionit kundër terrorizmit midis agjencive të tyre të zbatimit të ligjit.

Gjatë një vizite zyrtare në Athinë, Rubio tha krah ministrit të Jashtëm Gerapetritis, se Greqia ishte veçanërisht e ekspozuar ndaj kërcënimeve që vijnë nga migrimi masiv dhe trafikimi i qenieve njerëzore.

“Si pjesë e përpjekjeve tona për të luftuar këto kërcënime të përbashkëta për kombet tona, jemi krenarë të njoftojmë një memorandum të ri mirëkuptimi që krijon një program të përbashkët sigurie, për të forcuar shkëmbimin e informacionit kundër terrorizmit midis agjencive tona përkatëse të zbatimit të ligjit”, tha Rubio.

Greqia ka qenë një aleate e rëndësishme e NATO-s për Shtetet e Bashkuara, duke ofruar baza kyçe ushtarake për të garantuar sigurinë në Mesdheun Lindor, dhe ajo udhëheq një mision detar të Bashkimit Europian për mbrojtjen e transportit detar tregtar në Detin e Kuq.

Gerapetritis tha të mërkurën se Greqia ishte e gatshme të bashkëpunonte me Shtetet e Bashkuara dhe të ofronte ndihmë detare në Ngushticën e Hormuzit, nëse atje do të kishte një proces paqeje të qëndrueshëm.

Rubio doli në mbrojtje të ambasadores së SHBA-së në Greqi, Kimberly Guilfoyle, pasi senatorët amerikanë shprehën shqetësime lidhur me pretendimet se ajo kishte deklaruar se Uashingtoni mund të përdorte ndikimin e tij për të rrëzuar qeverinë greke.

Rubio tha se ambasada e Shteteve të Bashkuara në Athinë po bën një punë të shkëlqyer.

Klan News

/tvklan.al