Rama: Do të votojmë edhe ndryshimet kushtetuese

Parlamenti votoi me 99 vota pro, 6 kundër dhe 4 abstenim ndryshimet në ligjin elektoral sipas marrëveshjes së dakordësuar të 5 Qershorit.

Vetë Kryeministri tha se po voton për Lulzim Bashën, pasi vetë nuk është dakort me çka u arrit në atë  marrëveshje.

“Unë këtu sot do e shtyp për Lulzim Bashën, jo për vete. Nuk e votoj me zemër por me mendje marrëveshjen, sepse jam i vetëdijshëm për vlerën që ka në raport me atë palë të vetëpërjashtuar nga Parlamenti me ata që janë votuesit e tyre jo ata që e morën atë vendim”.

Kreu i shumicës përsëriti në Parlament se nga kjo marrëveshje PS nuk fitoi asgjë dhe tregon se çfarë mund të kishte fituar PS nëse do të shfrytëzonte hapësirat që i jep të qenit në shumicës. Por shpjegon dhe arsyet përse nuk e bëri diçka të tillë PS e cila për të është gjithmonë forca që ka lëshuar në çdo proces negociatash me palët e tjera.

“Ne mund të merrnim kollaj bonusin për partinë e parë në këmbim të pranimit të kërkesave të opozitës parlamentare. Të gjithë e dinë kush del parti e parë, por nuk e bëmë se do shfrytëzonim rrethanat që na jep ky parlament. Këtë thyerje nuk e donim. Është vetëvrasje politike heqja dorë nga raundi i dytë, pranoi të hiqet balotazhi”.

Por ndërsa flet për rëndësinë që ka kthimi në ligj i marrëveshjes së 5 Qershorit, bën të qartë se pjesëmarrja e tij në Këshillin Politik ishte shansi I fundit për ta bërë pjesë opozitën joparlamentare të ndryshimeve kushtetuese që thotë e me siguri që do të miratohen në 30 Korrik.

“Këshillin Politik investohem personalisht për ta ngritur në nivelin më të lartë të përfaqësimit një gjë kaq të rëndesishme. Pas pushimeve do vijnë të ndërgjegjësuar”.

Me të njëjtën qartësi i drejtohet dhe ndërkombëtarëve të cilët kërkojnë gjithëpërfshirje në miratimin e ndryshimeve kushtetuese.

“Unë nuk e pranoj dot që dhe në vitin 2020 ne të flasim anglisht me njëri-tjetrin. Kjo ka qenë një nga gjërat që i kam kërkuar Lulzim Bashës në 2017-ën. Kur ne kemi vetëdijen që po bëjmë gjënë e duhur jemi të gatshëm që mosdakordësitë t’i diskutojmë pa u tërhequr nëse nuk na bindin. Për këtë arsye jemi miq, jemi partnerë, nuk jemi shërbëtorë të askujt. Por jemi të vetëdijshëm që nuk jemi as SHBA, as BE, jemi një vend i vogël dhe jemi këtu ku jemi edhe falë miqve dhe partnerëve tanë. Kur vjen puna për të vendosur do hapim listat a s’do hapim listat, këtë e vendosim ne. Na vjen keq këtë e vendosim ne, se pastaj do ishte fundi. Ky kuvend do hapi listat në 30 Korrik. Dhe kjo është marrëveshja e bërë këtu me opozitën që na ka rrokanisur kokën që ditën e parë”.

Risqaron sesi do të ndryshojë formula e koalicioneve pas ndryshimeve kushtetuese.

“Vazhdojnë që thonë do të ndalojnë koalicion ne nuk duam t’i ndajmë. Nëse ata duan t’i japin demokratëve këtë gjellë të ringrohur, puna e tyre”.

Tv Klan