Kryeqyteti shqiptar mikpriti edicionin e 10-të të Maratonës së Tiranës, ku morën pjesë rreth 5.800 pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës, duke e kthyer kryeqytetin në një arenë të vërtetë sportive.

Kjo maratonë është një nga aktivitetet më të rëndësishme sportive të organizuara nga Bashkia e Tiranës.

Këtë vit, gara u zhvillua në pesë kategori kryesore, duke nisur me Maratonën e Plotë 42 km, Gjysmëmaratonën 21 km, Tirana 10K, City Run 5K dhe kategorinë e veçantë “We Too”.

Një nga momentet më të veçanta të këtij edicioni ishte vlerësimi i pjesëmarrësve të grupit “We Too”, të cilët përcollën një mesazh të fortë për gjithëpërfshirjen dhe mundësitë e barabarta në sport.

Në garën prej 42 km, në kategorinë për femra, Luiza Gega rrëmbeu çmimin e parë, me kohën 2 orë, 35 minuta e 35 sekonda. Ndërsa vendin e parë në këtë garë për meshkuj e fitoi atleti Fotion Konomi. Edhe këtë vit, fituesit u shpërblyen me çmime që variojnë nga 200 deri në 5.000 euro.

Për mbarëvajtjen e Maratonës së Tiranës u angazhuan strukturat e Policisë Bashkiake dhe Policisë së Shtetit, ndërsa përgjatë itinerarit të garës u aplikuan kufizime të përkohshme të qarkullimit të automjeteve në disa arterie kryesore, për të garantuar sigurinë e pjesëmarrësve.

Edicioni i 10-të i Maratonës së Tiranës përcolli jo vetëm frymën e garës dhe të një jetese aktive, por edhe mesazhin se sporti është një mundësi për të gjithë.

Tv Klan

/tvklan.al