U mbajt sot në 7 maj sesioni i hapjes të Kongresit Botëror të Ligjit. Ky Kongres do të mbahet në kryeqytetin shqiptar vitin e ardhshëm. Fjalën i pari e mbajti ministri i Drejtësisë Toni Gogu.

“Jetojmë në një kohë, kur demokracia është duke u vendosur në provë. Duhet të bëjmë çdo gjë, që drejtësia të jetë më e fortë se qeveria. Nuk është e lehtë të reformosh vetveten. Kjo nuk bëhet sa hap dhe mbyll sytë, por do kohën e vet. Kjo është sfida më e madhe e kohës sonë, që të ruajmë besimin tek drejtësia.

Këtu qëndron dhe rëndësia e mbajtjes së Kongresit Botëror të Ligjit, që mbahet vitin tjetër në Tiranë. Shteti i së drejtës mbahet gjallë nga besimi i qytetarëve tek institucionet. 10 vite më parë, Shqipëria ndërmori një reformë të vështirë. Si çdo reformë e rëndësishme, do kohën e vet, që të japë rezultatet, që duhen”, tha ministri Gogu.

Javier Cremades, President nga Shoqata Botërore e Juristëve nga Fondacioni Botëror i Ligjit tregoi se pse Shqipëria u zgjodh për Kongresin Botëror të Ligjit.

Ai tha se Tirana zyrtare ka ambicie për të qenë pjesë e BE-së dhe se kjo bëhet përmes sundimit të ligjit. Cremades deklaroi se Tirana do kthehet në kryeqytet të zbatimit të ligjit.

“Pse u zgjodh Shqipëria? Kjo sepse jeni vend me shumë besime fetare, jeni vend nga i cili mund të mësosh dhe mund të bësh më shumë. Vendi juaj aspiron që të bëhet pjesë e Bashkimit Europian. Kjo është një ëndërr që e dëshirojnë të gjithë shqiptarët. Bashkimi Europian është një hapësirë për sundimin e ligjit dhe për këtë arsye, transformimi i vendit tuaj dhe i reformës në drejtësi, na bën që të diskutojmë në Tiranë. Unë besoj se Tirana do jetë kryeqyteti i sundimit të ligjit.

Në Republikën Dominikane kemi bërë një statujë të madhe, për të vlerësuar sundimin e ligjit dhe këtë mund ta bëjmë dhe këtu. Çdo person duhet të ketë dinjitetin e tij dhe drejtësia është ajo që duhet ta thotë fjalën e fundit. Ne nuk mbështesim qeverinë, ne mbështesim parlamentet, institucionet, gjyqtarët. Ne duam që institucionet të jenë më të mira. Ne presim që ju të bëni gjysmën e punës dhe ne do të bëjmë gjysmën e punës. Edhe qytetarët shqiptarë duhet të kontribuojnë në sundimin e ligjit”, u shpreh ai.

Më pas fjalën e mori kryeministri Edi Rama. Përshëndeti të pranishmit në Kongres me gjuhën e vendeve të tyre. Më pas, deklaroi se me Kongresin Botëror të Ligjit synohet një botë, që udhëhiqet nga ligji dhe jo nga forca.

“Ky është një moment prekës, sepse Shqipëria bëhet pjesë e një aktiviteti me prestigj botëror. Një botë që udhëhiqet nga ligji dhe jo nga forca është ajo shoqëri ideale, që synon sot njerëzimi. Kongresi Botëror i Ligjit u krijua, pikërisht për të përcjellë mesazhin se bota duhet të drejtohet nga ligji dhe jo nga forca. Besojmë se askush nuk do e imagjinonte se Shqipëria do bëhej epiqendra e një Kongresi të tillë. 

Vettingu ishte një pikë kyçe, duke bërë të gjitha përpjekjet që historia e drejtësisë shqiptare të bëjë një kthesë të madhe. Partnerët tanë janë të çmuar në këtë rrugë, sepse mbështetja e tyre ka qenë me rëndësi të dorës së parë. Në sondazhe rezultonte se mbi 90 përqind e shqiptarëve e donin vettingun në drejtësi dhe ky ishte rezultat fantastik. Por mbi 80 përqind nuk kishin besim se do shikonin një drejtësi të fortë dhe se do kishte barazi para ligjit. Kjo ndodhte sepse ishin mësuar se drejtësia ishte gjithmonë në duart e më të fuqishmëve. Më 2013 ne e bëmë atë që askush nuk e kishte imagjinuar kurrë, duke vendosur që njerëzit me pushtet të dorëzojnë shpatën e drejtësisë”, tha Rama.

Shtoi se reforma në drejtësi do të shkojë përpara, pavarësisht kostove të mëdha.

“Njerëzit nuk mund të korruptojnë dot një sistem, kur ky sistem garanton sundimin e ligjit. Shumë shqiptarë në Shqipëri nuk vendosnin rrip sigurie në makinë, ndërsa në Gjermani e vendosnin. Kjo sepse sistemi në Gjermani nuk është arbitrar. Kjo duhet dhe do të ndodhë dhe në vendin tonë. Ne jemi në këtë sfidë, që të mos lejojmë që të ketë kthim mbrapa. Nëse shqiptarët nuk do e donin kaq shumë BE-në, nuk do arrinim kurrë që të vendosnim barazinë para ligjit. Bashkimi Europian është burimi i vetëm në botë, për të mësuar sesi ndërtohen institucionet.

Reforma në drejtësi do të shkojë përpara, me të gjitha kostot e veta. Nuk do lejojmë, që të lëkundet ajo që është ndërtuar, në aspektin e një sistemi të ri dhe të pavarur drejtësie. Kongresi Botëror i Ligjit 2027 është një stacion, ku ne duhet të shkojmë me një program përgjatë gjithë harkut të vitit, për të siguruar që në Kongres, që Shqipëria nuk merr një vlerësim të jashtëzakonshëm, por shfrytëzon praninë e një numri njerëzish, që përfaqësojnë shtetin e së drejtës, për të dalë me angazhim të ripërtërirë në raport me të nesërmen”, deklaroi kreu i qeverisë.

2027-a është vit tejet i rëndësishëm për Shqipërinë, me një seri eventesh që do të mbahen në kryeqytet. Kongresi Botëror i Ligjit (“World Law Congress Albania”) do të sjellë pas një viti në Tiranë, rreth 3 mijë juristë nga gjykatat supreme dhe sistemet gjyqësore të shumë vendeve të botës.

/tvklan.al