Tiranë, 22 shtator 2026 – Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi masën shtrënguese të “arrestit me burg” ndaj Ergys Agasit, një prej figurave kyçe të dosjes së bujshme të AKSHI-t.
I njëjti vendim është marrë për ish-efektivin Ulian Shpataraku. Ky i fundit ndodhej në automjet me Agasin ditën e arrestimit.
Vendimi i plotë:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtar z. Florjan Kalaja, sot më datë 22.09.2026, disponoi për çështjen penale nr. 43 akti, datë 17.09.2026 regjistrimi, mbi ankimin e personit nën hetim/ankues E.A, në lëndë të masave të sigurimit, si vijon:
– Miratimin e vendimit nr. 62, datë 28.08.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
– Në bazë dhe për zbatimin të nenit 103 të K.Pr.Penale ndalohet publikimi i vendimit deri në mbylljen e hetimeve paraprake.
– Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve duke nisur ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar.
Agasi, po hetohet që prej vitit 2025, ndërsa ndaj tij rëndojnë dyshime për një sërë veprash penale, mes tyre konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës, heqje e paligjshme e lirisë, shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, grup i strukturuar kriminal, pastrim i produkteve të veprës penale dhe korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike.
Hetimet kanë ngritur dyshime edhe për tendera fiktivë dhe procedura të manipuluara, përmes të cilave dyshohet se janë përfituar në mënyrë të paligjshme fonde publike. SPAK ka vijuar hetimet për të dokumentuar rolin e secilit prej personave të përfshirë dhe mënyrën se si janë realizuar këto procedura.
Në kuadër të së njëjtës dosje, me urdhër të GJKKO-së, këtë të martë u kryen kontrolle në banesën e ish-kryepolicit Ilir Proda, i cili ishte thirrur edhe për t’u paraqitur në Prokurorinë e Posaçme.
Ndërkohë, ndaj drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, është caktuar masa “arrest shtëpie” dhe pezullimi nga detyra, nën akuzat për përkrahje të autorit të krimit dhe nxjerrje të sekretit shtetëror…(Lexo më shumë)
Po për të njëjtin hetim, masa e “arrestit me burg” është caktuar edhe për shefin e Laboratorit Shkencor të Policisë në Tiranë, Fatjon Kalluci, si dhe pronarin e një biznesi në Durrës. Sipas asaj që raportohet, këta persona mund të kenë ndihmuar Agasin t’i shmangej arrestimit për një periudhë të gjatë.
Në vazhdën e së njëjtës çështje, u arrestua edhe Ermal Beqiraj. Ai akuzohet se ka përfituar tendera nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, ndërsa SPAK i ka sekuestruar 11 pasuri.












Botërori 2026 
