“Mbetjet e sjella nga lumenjtë Drin dhe Mat kanë pushtuar vijën bregdetare të Lezhës, duke shndërruar zonën turistike në një vatër ndotjeje. Sa herë që reshjet rrisin prurjet e lumenjve, mbetjet urbane përfundojnë në det, duke rrezikuar mjedisin dhe imazhin turistik të gjithë rajonit”, raporton gazetari Martin Marku.

Pamjet flasin vetë. Plastika, mbetje urbane dhe materiale të tjera të ngurta kanë mbuluar vijën bregdetare, duke krijuar një situatë alarmante për mjedisin. Ndotja përkeqësohet pas çdo episodi reshjesh, kur lumenjtë Drin dhe Mat transportojnë mbetjet drejt Adriatikut.

Gjatë ditës së hënë, strukturat vendore të Bashkisë Lezhë kanë ndërhyrë me një aksion pastrimi dhe sensibilizimi, duke angazhuar punonjës dhe mjete për largimin e mbetjeve nga bregu. Vetëm një ditë më parë, Kryeministri Edi Rama paralajmëroi masa të forta ndaj ndotësve, duke theksuar se dëmtimi i mjedisit nuk do të tolerohet më.

Problemi tashmë ka kaluar kufijtë. Mediat e huaja kanë ngritur alarmin se mbetjet e ardhura nga Shqipëria po prekin brigjet e Malit të Zi, ndërsa raste të ndotjes janë raportuar edhe në zonën e Dubrovnikut, duke e kthyer çështjen në një shqetësim rajonal.

Autoritetet paralajmërojnë se aksionet e pastrimit do të vijojnë, ndërsa kërkohet bashkëpunim nga qytetarët për të ndalur një ndotje që rrezikon jo vetëm mjedisin, por edhe turizmin dhe imazhin e vendit.

Tv Klan

/tvklan.al