Të dhënat zyrtare tregojnë se 10 mijë e 650 persona humbën jetën nga vala e të nxehtit që përfshiu Evropën Perëndimore gjatë muajit qershor.

Sipas rrjetit evropian EuroMOMO, i mbështetur nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, mbi 9 mijë prej viktimave ishin persona mbi moshën 65-vjeçare, duke konfirmuar se të moshuarit mbeten grupi më i rrezikuar gjatë episodeve të nxehtësisë ekstreme.

Ekspertët e EuroMOMO e cilësojnë këtë nivel të vdekshmërisë si të pazakontë për këtë periudhë të vitit. Sipas tyre, nuk ka faktorë të tjerë madhorë, si shpërthime të COVID-19 apo epidemi të tjera, që të shpjegojnë rritjen e ndjeshme të numrit të viktimave. Për këtë arsye, studiuesit vlerësojnë se shkaku kryesor ishte vala ekstreme e të nxehtit që përfshiu Evropën Perëndimore.

Temperaturat rekord goditën Francën, Spanjën, Britaninë e Madhe dhe vende të tjera, duke shkaktuar ndërprerje të furnizimit me energji elektrike, mbyllje të shkollave dhe probleme serioze në funksionimin e shërbimeve publike.

Shkencëtarët theksojnë se vala e të nxehtit në fund të qershorit do të kishte qenë pothuajse e pamundur pa ndikimin e ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor. Sipas tyre, ngrohja globale po i bën valët e të nxehtit më të shpeshta, më intensive dhe më të rrezikshme për jetën.

Raporti i EuroMOMO evidenton se Franca dhe Belgjika regjistruan nivelin më të lartë të vdekshmërisë së tepërt gjatë javës së fundit të qershorit. Në Belgjikë, autoritetet shëndetësore bëjnë të ditur se kjo ishte vala më vdekjeprurëse e të nxehtit që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 2000.

Ndërkohë, një studim i veçantë i publikuar në Britaninë e Madhe vlerëson se vetëm gjatë valëve të të nxehtit të muajve maj dhe qershor, rreth 2 mijë e 700 persona humbën jetën në Angli dhe Uells si pasojë e temperaturave të larta. Studiuesit llogarisin se 42% e këtyre vdekjeve lidhen drejtpërdrejt me ndikimin që ngrohja globale pati në përkeqësimin e valëve ekstreme të të nxehtit.

/tvklan.al