Sot shënohen 23 ditë protesta në Tiranë, intensiteti i së cilës rritet çdo ditë e më shumë.
Gazetarja Glidona Daci, në një lidhje të drejtpërdrejtë për emisionin e sotëm “Rudina”, në Tv Klan, ka dhënë një panoramë të asaj se çfarë pritet të ndodhë në vijim.
Ajo sqaron se pritet që nga e gjithë kjo protestë të dalë një lëvizje politike. Nëse diçka e tillë ndodh, ekziston mundësia e hyrjes së saj në zgjedhjet e ardhshme.
Sakaq, gazetarja sqaron se padyshim ka një grup organizator të kësaj proteste, por personazhet ende nuk kanë dalë publikisht, duke lënë kështu qytetarët për të mbajtur fjalime dhe për të shprehur pakënaqësi përmes zërit të tyre para zyrës së kryeministrit, Edi Rama.
“Grupi organizator, të paktën për ne gazetarët që jemi sot dita e 23 që ndjekim protestën, është kuptuar deri diku kush janë personat që merren deri diku me organizimin dhe pse ata nuk do të dalin në asnjë moment në skenë, përpos personave që dalin dhe mbajnë fjalime, që janë në një farë mënyre aktivistë apo drejtues të organizatave të ndryshme të cilët kanë dalë dhe kanë folur publikisht. Ndërkohë, truri i kësaj proteste ende nuk do të ekspozohet dhe pritet që kjo protestë të sjellë edhe një lëvizje të re politike. Është artikuluar, ka filluar të artikulohet që do të kenë kërkesa specifike, se nisi si një protestë për atë çfarë ndodhi në Zvërnec më 30 maj, ndërkohë që përfundoi më pas në një lëvizje tjetër. Tashmë kanë filluar kërkesat politike dhe kërkesa për largimin e qeverisë. Gjithsesi, pritet që ndoshta nga ditët në vijim do të kemi zbulimin e grupit të organizatorëve, po ashtu edhe lëvizje, nëse do të jetë një lëvizje politike që do të ndërhyjë në zgjedhjet e ardhshme vendore”, raportoi gazetarja.
Kujtojmë se protestat, të cilat futen sot në ditën e 23-të, nisin nga Kryeministria për të vijuar më pas me marshimin në rrugët e kryeqytetit, itinerari i të cilëve është i ndryshëm çdo natë.
Këto protesta janë cilësuar prej të rinjve si “Revolucioni i Flamingove”. Flamingo u përzgjodh si simbol sepse përfaqëson drejtpërdrejt ekosistemin e Lagunës së Nartës, por më pas u bë si shenjë dalluese e ngritjes së të rinjve, të cilët shprehin pakënaqësitë ndaj çështjeve sociale, ekonomike dhe politike në vend përmes protestave.
/tvklan.al












Botërori 2026 