“Paqja është një fjalë e lehtë për t’u thënë, por e vështirë për t’u prodhuar”, kështu e nisi fjalën presidenti amerikan, Donald Trump, në ceremoninë e mbledhjes së parë të Bordit të Paqes. Drejtuar liderëve botërorë, shefi i Shtëpisë së Bardhë i falenderoi për pjesëmarrjen dhe kontributin që kanë dhënë për arritjen e paqes në Lindjen e Mesme.
Trump theksoi se situata në Gaza është “shumë komplekse” dhe falenderoi të dërguarin e SHBA-ve, Steve Witkoff, dhëndrin e tij Jared Kushner, Sekretarin e Shtetit Marco Rubio dhe Zëvendëspresidentin JD Vance, duke i quajtur ata si “ekipi më i mirë i mbledhur ndonjëherë”. Ai po ashtu kritikoi liderët e vendeve evropiane që u shprehën skeptikë dhe nuk pranuan të bëhen pjesë e aleancës.
“Jemi përgjegjës për shumë njerëz që janë këtu prezent. Kemi shumë punë për të bërë dhe po vazhdojmë të bëjmë punë të mirë. Kemi bërë një skuadër në një punë të mirë, skuadra më e mirë që kemi pasur deri tani. Kënaqësi e madhe të ftojmë miq nga e gjithë bota. Është një nga bordet më me peshë që është krijuar deri më sot. Këta janë udhëheqësit më të mëdhenj botërorë. I kemi bërë ftesë shumë njerëzve, por jo disa që mendojmë se kanë shkaktuar probleme. Është bord shumë i mirë. Ky bord u themelua për paqe dhe nuk e kisha idenë e imazhit që do të kishte. Unë erdha dhe vendosëm këtë paqe”.
Trump u shpreh se disa vende anëtare të Bordit kanë kontribuar së bashku më shumë se 7 miliardë dollarë për paketën e ndihmës, ndërsa SHBA-të kanë premtuar një kontribut prej 10 miliardë dollarësh për Bordin e Paqes.
“Kazakistani, Azerbajxhani, Maroku, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini, Katari, Arabia Saudite, Uzbekistani dhe Kuvajti janë vendet që së bashku kanë premtuar në total më shumë se 7 miliardë dollarë për rindërtimin e Rripit të Gazës pas luftës. Vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të japin 10 miliardë dollarë të tjera për rimëkëmbjen e territorit palestinez.”
Duke u ndalur te tensionet me Iranin, Trump u shpreh se është koha që Teherani të bashkohet me aleancën e SHBA-të, pasi nuk mund të vazhdojë të jetë kërcënim për rajonin.
“Kemi punë për të bërë ende me Iranin, nuk mund t’i lejojmë të kenë armë bërthamore”.
Në mbyllje të fjalës së tij, Trump hodhi poshtë aludimet se po konkurron OKB-në, duke theksuar se Bordi i Paqes do të jetë diçka që askush nuk e ka parë më parë dhe do të bashkëpunojë me Kombet e Bashkuara për t’u siguruar që “ato të funksionojnë siç duhet”. Sipas Shefit të Shtëpisë së Bardhë, OKB-ja është një organizatë me potencial të jashtëzakonshëm.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 