Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka reaguar pas mbajtjes të mbledhjes së parë të përbashkët ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Italisë, duke e cilësuar këtë moment si një “pikënisje historike” për bashkëpunimin mes dy vendeve.

Në një postim në platformën X (ish-Twitter), Spiropali shkruan në mënyrë simbolike, se të gjitha rrugët të çojnë në Romë. “Omnes viae Romam ducunt — Të gjitha rrugët të çojnë në Romë. Mbledhja e parë e përbashkët mes dy qeverive Shqipëri-Itali, një pikënisje historike për projekte të reja, për bashkëpunim edhe më të ngushtë dhe për rrugëtimin e përbashkët drejt një Europe më të bashkuar.”

Ministrja thekson se ky takim shënon hapin e parë konkret në forcimin e partneritetit strategjik mes Tiranës dhe Romës, duke hapur rrugën për projekte të reja ekonomike, infrastrukturore dhe kulturore që do të thellojnë lidhjet mes dy vendeve.

“Shqipëria dhe Italia ndajnë jo vetëm histori, por edhe një vizion të përbashkët për të ardhmen evropiane”, ka nënvizuar Spiropali në reagimin e saj, duke shtuar se ky bashkëpunim është “shprehje e besimit të ndërsjellë dhe e miqësisë që lidh dy popujt”.

Mbledhja ndërqeveritare, e cila u zhvillua në Romë, pritet të shënojë fillimin e një kapitulli të ri në marrëdhëniet dypalëshe, duke përfshirë nisma konkrete në fusha si energjia, arsimi, siguria dhe integrimi europian.

/tvklan.al