Memorandum Mirëkuptimi i Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë me Muzeun Kombëtar të Arteve në Romë

Në kuadër të bashkëpunimit të ngushtë mes Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit të Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës së Italisë, u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit midis Galerisë Kombëtare të Arteve dhe MAXXI – Muzeut Kombëtar të Arteve të Shekullit XXI në Romë.
Ky bashkëpunim i rëndësishëm do të shoqërojë procesin e rihapjes së Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë vitin e ardhshëm, duke forcuar misionin e saj kulturor dhe ndërkombëtar.
MAXXI do të jetë një partner strategjik, që do të kontribuojë në modernizimin institucional dhe menaxherial, në formimin e profesionistëve të muzeve, si dhe në zhvillimin e programeve të përbashkëta kulturore dhe kërkimore.
Ky projekt trevjeçar (2025–2028), është pjesë e vizionit të përbashkët për ta kthyer kulturën në urën më të fortë të dialogut, zhvillimit dhe miqësisë shqiptaro-italiane.
Nënshkruhet Memorandumi i Mirëkuptimit “Misioni kundër drogës”
Në Romë, u zhvillua ceremonia e nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit “Misioni kundër drogës” ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit Shqiptar dhe Drejtorisë Qendrore të Shërbimeve Kundër Drogës të Republikës Italiane.
Memorandumi u nënshkrua nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, dhe nga Drejtori Qendror për Shërbimet Kundër Drogës, Gjeneral Major i Karabinierëve Giuseppe Spina.
Ky dokument synon rritjen e cilësisë së bashkëpunimit operacional, lehtësimin e shkëmbimit të informacionit mbi grupet kriminale, forcimin e operacioneve dhe hetimeve të përbashkëta, si dhe zgjerimin e programeve të trajnimit dhe shkëmbimeve profesionale midis strukturave policore të dy vendeve.
Ministri Gonxhja takohet me homologen italiane
Gjatë mbledhjes së përbashkët të dy qeverive në Romë, Ministri Blendi Gonxhja u takua me Ministren e Turizmit të Italisë, Daniela Santache. Takimi i ministrave riafirmoi angazhimin e përbashkët për një partneritet të qëndrueshëm, inovativ dhe të ndërsjellë në turizëm.
Diskutimet u fokusuan në forcimin e bashkëpunimit dypalësh dhe rajonal, harmonizimin e standardeve, lehtësimin e përvojës së udhëtarëve, zhvillimin e itinerarëve kulturorë, fuqizimin e aftësive dhe edukimin e profesionistëve, si dhe zgjerimin e mundësive turistike gjithëvjetore. Ky takim konsolidon marrëdhëniet ndërkombëtare në fushën e turizmit, për të vendosur standarde të reja për një turizëm inovativ dhe cilësor në vend.
Konferenca Rama-Meloni përmes fotove















Mbledhja e parë ndërqeveritare Shqipëri-Itali, Spiropali: Pikënisje për rrugëtimin drejt BE-së
Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka reaguar pas mbajtjes të mbledhjes së parë të përbashkët ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Italisë, duke e cilësuar këtë moment si një “pikënisje historike” për bashkëpunimin mes dy vendeve.
Në një postim në platformën X (ish-Twitter), Spiropali shkruan në mënyrë simbolike, se të gjitha rrugët të çojnë në Romë. “Omnes viae Romam ducunt — Të gjitha rrugët të çojnë në Romë. Mbledhja e parë e përbashkët mes dy qeverive Shqipëri-Itali, një pikënisje historike për projekte të reja, për bashkëpunim edhe më të ngushtë dhe për rrugëtimin e përbashkët drejt një Europe më të bashkuar”. Lexo më shumë
“Deri në 2028, zgjidhim të gjitha çështjet me Greqinë”
Kryeministri Edi Rama u shpreh besimplotë se çdo çështje me Greqinë do të jetë zgjidhur deri në vitin 2028. Kohë kjo që përkon me marrjen e kryesisë së Këshillit Europian nga Italia, e që shihet si synim nga vendi ynë për të nisur negociatat politike për anëtarësimin në BE. Deklaratën e bëri gjatë konferencës për shtyp me homologen italiane, pas mbledhjes së përbashkët mes dy qeverive që u mbajt këtë të enjte, 13 nëntor, në Romë.
“Unë do të thoja që si Italia, ashtu edhe Greqia janë dy vende fqinje. Pasi ka kaluar një moment jo të lehtë, ne jemi në rrugën e duhur. Po punojmë mirë së bashku. Për ne, vlerat, parimet e mbrojtjes së pakicave janë vlera dhe parime të pandashme nga ekzistenca e Shqipërisë demokratike. Dhe kur Greqia vepron përpara nesh, apo na thërret në këtë drejtim, apo na bën ndoshta ndonjë vërejtje, janë të mirëseardhura. Ndërkohë, ne jemi duke punuar edhe për pjesën tjetër dhe unë jam shumë optimist për faktin që për vitin 2028, kohë kur Italia do të ketë kryesinë dhe Giorgia do të duhet të drejtojë negociatat politike për anëtarësimin e Shqipërisë në Europë, nuk do të ketë nevojë t’i tërheqë veshin Qirjakos, sepse do të thotë që deri atëherë do të kemi zgjidhur gjithçka”...Lexo më shumë
Rama: Gati të futemi në BE edhe pa të drejtë vetoje, mund të përfaqësohemi nga Komisari Europian Italian
Kryeministri Edi Rama u shpreh gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologen e tij italiane, Giorgia Meloni se Shqipëria është gati të futet në BE edhe pa të drejtë vetoje. Madje ai tha se Shqipëria mund të përfaqësohet nga Komisari Europian Italian.
“Siç e thashë edhe gjatë mbledhjes, dhe siç e kam thënë edhe në raste të tjera, ne jemi gati të bëjmë një marrëveshje me Bashkimin Europian, për të mos përdorur as veton dhe as votën. Nuk na intereson kjo. Ne jemi ithtarë fanatikë të vlerave europiane dhe nuk kemi asnjë mendje të vendosim veto. Do të thotë që jemi gati të nënshkruajmë që mund të përfaqësohemi nga Komisari Europian Italian. Do të ishte shumë të kishim dy komisarë për të njëjtin vend pasi ne jemi i njëjti vend”, tha ai.
Marrëveshja për emigrantët, Meloni: Revolucionare! Rama: Nuk pendohem, do e bëja 100 herë me Italinë
Pas mbledhjes ndërqeveritare Shqipëri-Itali, kryeministrat e dy vendeve, Edi Rama dhe Giorgia Meloni iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve në një konferencë të përbashkët për shtyp. Një nga çështjet ishte marrëveshja për emigrantët mes dy palëve. Meloni theksoi se kjo nismë është revolucionare dhe janë disa vende të tjera që po përpiqen të bëjnë të njëjtin protokoll.
Ndërsa Rama nga ana tjetër u pyet nëse është penduar dhe a do ta firmoste të njëjtën marrëveshje me një vend tjetër. Kreu i qeverisë shqiptare përsëriti se jo vetëm që nuk është penduar, por për Italinë do ta bënte 100 herë të njëjtën marrëveshje. Për vendet e tjera theksoi se nuk do ta bënte kurrë. Arsyeja? Nuk janë Italia… Lexo më shumë
Rama: Shpresoj në 2028 të mbyllim negociatat me BE
Në konferencën e përbashkët për shtyp me Giorgia Melonin, pas mbledhjes së përbashkët mes dy qeverive të mbajtur këtë të enjte në Itali, më 13 nëntor, kryeministri Edi Rama e cilësoi ditën e sotme si historike.
“Sot për ne është një ditë absolutisht historike, sepse për herë të parë qeveria shqiptare ulet me atë italiane për të folur për projekte dhe një të ardhme të përbashkët. Dhe për të firmosur marrëveshje konkrete, për projekte konkrete”.
Kryeministri u ndal edhe tek aspiratat e Shqipërisë për të mbyllur negociatat me BE në 2028-n.
“Do doja të shtoja që po, do të ishte vërtet qershia mbi tortë, që në 2028, vit kur Italia do të marrë kryesinë e Këshillit Europian dhe Giorgia do të mbajë rolin e dyfishtë… pasi të kemi përfunduar negociatat teknike, do të mund të nisim punën për negociatat politike. Nëse duke nisur punën për këto negociata përgjegjësia do të jetë e Giorgias, do të thotë për ne që do të jemi në duart më të mira të mundshme, që të mund të hapim atë derë e cila qëndron e mbyllur për ne prej qindra vjet”…lexo më shumë
Nënshkruhen 16 marrëveshje mes Shqipërisë dhe Italisë
16 marrëveshje janë nënshkruar mes Shqipërisë dhe Italisë në mbledhjen e parë ndërqeveritare. Ja cilat janë ato:
1• Memorandum mirëkuptimi për bashkëpunimin mbi sigurinë kibernetike
2• Marrëveshje ndërqeveritare për koncensionin e një huaje ndihme për mbështetjen e krijimit të një sistemi të mbrojtjes civile shqiptare
3• Marrëveshje ekzekutive për nismën kundrejt përforcimit të aftësive të Mbrojtjes Civile në Shqipëri
4• Marrëveshje për realizimin e projektit në mbështetje të neonatologjisë në mbrojtje të fëmijëve dhe nënave
5• Memorandum mirëkuptimi operativ kundër trafikut të drogës
6• Marrëveshje për bashkëpunimin në sektorin e mbrojtjes
7• Memorandum mirëkuptimi mes fondacionit “Maxi” Muzeu Kombëtar i Arteve i Shekullit XXI dhe Galeria Kombëtare e Arteve e Republikës së Shqipërisë.
8• Protokoll mirëkuptimi për bashkëpunimin në fushën e Mbrojtjes Civile
9• Marrëveshje teknike për dorëzimin e dy motovedetave të Guardia Costiera Italiane dhe Forcën Detare Shqiptare
10• Deklaratë mirëkuptimi mes Departamentit të Mbrojtjes civile italiane të presidencës së Këshillit të Ministrave të Italisë dhe Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile Shqiptare dhe Agjencisë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim, zyra e Tiranës
11• Marrëveshje financiare mes Casa Depositi e Prestitit dhe Këshillit të Ministrave të Shqipërisë për përmirësimin e rrjetit të transmetimit të energjisë elektrike në Shqipërinë veriore pas tërmetit të vitit 2019
12• Memorandum mirëkuptimi mes Casa Depositi e Prestitit S.p.A dhe Ministria e Financave të Shqipërisë
13• Memorandum mirëkuptimi mes SIMETS S.p.A dhe Agjencisë për Zhvillimin e Investimeve Shqiptare AIDA
14• Memorandum mirëkuptimi mes Fincantieri dhe KAYO, memorandum paraprak përpara krijimit të një joint venture për punimet e kantieret të Pashalimanit.
15• Memorandum mirëkuptimi mes Leonardo S.p.A dhe KAYO
Më herët mes kryeministrave Edi Rama dhe Giorgia Meloni u nënshkrua një marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Italisë, mbi bashkëpunimin strategjik në fushat e kujdesit shëndetësor, energjisë, mjedisit, industrisë së sigurisë dhe mbrojtjes, menaxhimit të migracionit, arsimit, inovacionit, diasporës, transformimit ekonomik dhe rritjes së zgjuar, duke çuar në 16 numrin total të nënshkrimeve sot në Romë.












Botërori 2026 
