Koalicioni i djathë duhet t’i fitoje këto zgjedhje sepse kundërshtari politik nuk është  i denjë të qeverise vendin. Kështu është shprehur presidenti i nderit i asamblesë së Partisë Republikane, Sabri Godo gjatë punimeve të kësaj asambleje. Në këtë kontekst, Godo  kërkoi përkushtim për zgjedhje të ndershme e të lira.

Sabri Godo: “Të bëjmë çmos që të fitoj e djathta e jonë sepse një ndërprerje e qeverisjes së djathtës ku unë e shoh me bindje të thellë si një fatkeqësi të këtij vendi. Nuk shoh përballë njerëz të cilëve mund tu besohet sado pak. Ndërprerja e qeverisjes të së djathtës do të thoshte në të njëjtën kohë, ndërprerje e punëve të mëdha që janë hapur.”

Çështja e pronave dhe kompensim i ish-pronarëve mbetet kryefjala e platformës elektorale të PR, të prezantuar nga kreu i tyre Fatmir Mediu. Në katër  vitet e ardhshme, Mediu premtoi se forca politike që ai drejton të vazhdoj të punoj për respektimin e pronës private, dhe të  ligjshme, duke kujtuar se që prej vitit 1991, republikanët kanë qenë gjithmonë në mbështetje të ish-pronarëve dhe duke nënvizuar faktin se interesat e tyre mund të mbrohen vetëm nga kjo mazhorance, pasi me të majtën kjo çështje nuk mund të marrë asnjëherë zgjidhje.

Fatmir Mediu: “Në asnjë moment nuk jemi ndalur për të kërkuar zgjidhjen e çështjes së pronës private. Padyshim që mund të bëhej më shumë, edhe mundet, por që ta kaloheshin ligjet të gjithë e dinë që duheshin të paktën 51% e votave në Kuvendin e Shqipërisë. Nëse PR do dilte nga koalicioni qeverisës për të prishur këtë qeverisje pas 8 vitesh të mazhorancës socialiste, padyshim ajo që do të vinte në pushtet do të ishte PS dhe nuk do ndodhte gjë tjetër do vinte një forcë politike e cila do ta nëpërkëmbte akoma më keq çështjen e pronës private dhe nuk do kishim asnjë influencë të paktën për të ndaluar ligje të padrejta apo për ti influencuar në amendamente për ndryshime në favor të pronarëve dhe unë besoj që ky është qëndrimi më i drejtë që kemi mbajtur si republikan sepse asnjëherë në cilësinë e kryetarit të PR, por edhe si një pjesë e politikës së djathtës nuk do bëj asnjë lëvizje e cila mund të kthente socialistët në pushtet. Brenda vitit të parë të mandatit të ardhshëm t’u kthehen banesat pronarëve të ligjshëm.”

Duke ju referuar reformave të arrira në sektor të ndryshëm, Mediu u ndal ne fushën e  shëndetësisë me rritjen e buxhetit për këtë sektor. Po kështu, republikani foli edhe për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë dhe hapjen e dosjeve te ish-bashkëpunëtoreve të komunizmit, çështje, të cilën e quajti si një detyrim të së djathtës. Ulja e taksave dhe krijimi i vendeve të reja të punës, tha Mediu, do të  jenë pjesë e politikës  që do të ndiqet në katër vitet e ardhshme nga qeveria e djathtë./tvklan.al

Gazetare: Brundila Cami