Është mbledhur sot në 21 shtator Komiteti i Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri.
Fjalën i pari e mori kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla.
Balla deklaroi se integrimi europian është një proces gjithëpërfshirës kombëtar dhe parlamenti duhet të ketë rol kyç.
“Integrimi europian nuk është vetëm një detyrë e qeverisë. Është një detyrë gjithëpërfshirëse, ku rol kyç ka edhe Kuvendi. Qytetarët kërkojnë që të ketë standarde të Bashkimit Europian. Qeveria po angazhohet që të ketë platforma, ku qytetarët të mund të gjejnë zgjidhje për problemet e tyre. Ne jemi këtu që në Shqipëri të mund të ketë zhvillim në çdo fushë.
Shteti i së drejtës është themeli, mbi të cilin po ngrihet ky proces. Integrimi duhet të përkthehet në ekonomi konkurruese dhe më tepër mundësi për të rinjtë. Ne jemi të zotuar që Shqipëria të mund të zhvillojë raporte shumë të mira me fqinjët”, tha Balla.
Në fjalën e tij, kryetari i parlamentit Niko Peleshi nënvizoi se anëtarësimi në BE është e vetmja rrugë e Shqipërisë. Peleshi nënvizoi se Shqipëria është në një moment të mirë të integrimit.
Shtoi se parlamenti shqiptar do të intensifikojë raportet me Kuvendet e vendeve anëtare të Bashkimit Europian.
“Ju uroj mirëseardhjen në Tiranë të gjithëve. Integrimi europian është e vetmja rrugë për Shqipërinë dhe jemi në një moment të mirë në këtë proces. Kuvendi është i angazhuar dhe e di shumë mirë që ka rolin e motorit të procesit të integrimit europian të Shqipërisë.
Në parlament shpesh nuk jemi dakord për shumë gjëra, por kur vjen puna tek integrimi, biem të gjithë dakord. Kuvendi do shqyrtojë me përparësi projektligjet, që kanë të bëjnë me integrimin në BE.
Kemi nisur punën që të përgatitemi si vend anëtar me të drejta të plota në Bashkimin Europian. Kjo kërkon përgatitjen e administratës sonë për përgjegjësitë e reja. Ne do intensifikojmë kontaktet me parlamentet e vendeve të BE-së. Pothuajse të gjitha parlamenteve të vendeve të BE-së janë përgjigjur pozitivisht në ftesën tonë për intensifikim raportesh”, tha Peleshi.
/tvklan.al












Botërori 2026 
