Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Kuvendi i Pajtimit është nisma më e fundit që ka marrë Karitasi i Shkodrës, për të luftuar gjakmarrjen. Ky kuvend u çel në fshatin e paqes në Shkodër dhe ka si qëllim kryesor, të shpëtojë ato dhjetëra familje që ndodhen të ngujuara, për shkak të fenomenit të gjakmarrjes.

Në çelje të kuvendit, kanë folur Arqipeshkvi i Metropolit të Shkodrës dhe njëkohësisht drejtuesi i Kuvendit, imzot Angelo Massafra, si dhe përfaqësues të lartë të shtetit, kryetari i Kuvendit Servet Pëllumbi, Ministri i Mbrojtjes Pandeli Majko, e drejtues të shoqatës për pajtimin e konflikteve etj.

Ministri i Mbrojtjes Majko, u dekorua gjatë punimeve të këtij kuvendi, me medaljen me motivacionin “Ndërtues i Paqes”, për kontributin e dhënë gjatë luftës në Kosovë. Jo më kotë, Kuvendi i Pajtimit ka mbledhur edhe përfaqësues të shtetit. Ata janë ftuar të kontribuojnë në vendosjen e ligjit dhe së drejtës ligjore, për të zgjuar në shoqëri ndërgjegjen e opinionit publik dhe praninë e shtetit.

Kuvendi ka si qëllim të bashkojë në të njëjtën nisëm, të gjithë besimet fetare, duke nxitur paqen, drejtësinë dhe duke dënuar ashpër, çdo vepër të dhunshme e kriminale kundër jetës njerëzore. Ftesë u bëhet edhe intelektualëve e mediave, të japin ndihmesën e tyre, për këtë.

Në 5 Prill të këtij viti, pritet të nënshkruhet marrëveshja për aksionin e përbashkët, për pajtimin e gjaqeve. Një pjesë e madhe e familjeve në gjak ndodhen në qytetin e Shkodrës dhe në pjesën e Dukagjinit. Vrasjet në këtë zonë të pranishme edhe në ditët e fundit, kanë pasur si motiv gjakmarrjen./tvklan.al

Gazetare – Aranita Brahaj